Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në 27-vjetorin e masakrës së Reçakut.
Me këtë rast, ai ka folur për padrejtësitë që po iu bëhen ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Ai ka vlerësuar se ish-krerët e UÇK-së vazhdojnë të gjykohen, por jo edhe ata që kanë kryer krime në Kosovë.
“E vërtetë është që nuk është vendosur drejtësia për masakrat në Kosovë, jo veç për Reçakun, por edhe për Mejën dhe tjera. Dhe po ashtu është e vërtetë që po ashtu vazhdojnë të gjykohen udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nuk gjykohen ata që i kanë kryer krimet anë e mbanë Kosovë. E dini që në gjithë Kosovën janë bërë masakra dhe është një akuzë që kërkon drejtësi”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shprehur nderimet për viktimat e kësaj masakre.
“Sot nderojmë në vendin edhe pranë trupave të dashurve tanë, atyre që u flijuan për liri. Në vendin e masakrës së Reçakut, masakrës që ktheu vëmendjen e NATO-së, Amerikës për krimet serbe në Kosovë. I jemi mirënjohës UÇK dhe gjithë brezave që luftuan për liri. Përkulemi me respekt për jetë para të rënëve në liri ashtu sic përkulemi në Prekaz dhe çdo kudo u kanë rënë të dashurit tanë për lirinë e Kosovës dhe përjetësisht mirënjohës NATO-s dhe Amerikës për ndihmën që ta gëzojmë lirinë”, ka thënë Haradinaj.










