Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se ajo që po ndodh aktualisht në Iran përbën kryengritjen më të madhe politike të dy dekadave të fundit dhe një momentum historik për ndryshim politik, jo vetëm për iranianët, por për gjithë Lindjen e Mesme.
“Ajo se çfarë po ndodh në Iran është, në fakt, protesta dhe kryengritja më e madhe politike që është bërë në këto 20 vitet e fundit,” ka thënë Hoxhaj, duke theksuar se këtë vlerësim e bën bazuar në kontaktet e drejtpërdrejta me diasporën iraniane.
“E them këtë si dikush i cili ka pasur mundësi të jetë në kontakt me shumë iranianë të cilët jetojnë në diasporë dhe të cilët kohët e fundit janë më se të vendosur dhe të organizuar që ta mbështesin ndryshimin politik në Iran,” ka shtuar ai.
Hoxhaj shprehet i bindur se ndryshimi politik është i mundur, nëse protestat vazhdojnë dhe shndërrohen në betejë institucionale.
“Jam më se i bindur që nëse populli i Iranit do të qëndron në rrugë, do t’i marrin institucionet, do ta bëjnë betejën e tij politike, mund të përmbyllet ndryshimi politik,” ka deklaruar Hoxhaj.
Sipas tij, kjo po ndodh në një moment kur Irani po humb fuqinë dhe ndikimin rajonal.
“Nëse kemi parasysh edhe humbjen e ndikimit që ka Irani në rajon, një humbje e ndikimit dhe një rënie e fuqisë iraniane në rajon, e cila ka pësuar ndryshim radikal në këto dy vitet e fundit,” ka theksuar ai.
Hoxhaj e sheh këtë situatë si një moment vendimtar historik.
“Prandaj edhe e shoh si një momentum historik vendimtar për iranianët, po edhe për Lindjen e Mesme,” ka thënë ai, duke shtuar se ky rikonfigurim politik do të ishte në interes edhe të shqiptarëve.
“Një rikonfigurim politik i cili do të ishte në interes jo vetëm të popujve që jetojnë atje, por edhe të shqiptarëve, edhe juve në Shqipëri dhe neve në Kosovë,” ka deklaruar Hoxhaj.
“Administratat e kaluara kanë bërë përpjekje që të bëjnë zgjidhje politike më shumë në interes të një balance gjeopolitike, sesa të ndryshimit të brendshëm,” tha Hoxhaj, duke përmendur përpjekjet për kufizimin e pasurimit të uraniumit nga Irani.
Sipas tij, situata sot ka ndryshuar rrënjësisht.
“Tash e kam përshtypjen që ndryshimi gjeopolitik ka ndodhur në Lindjen e Mesme. Është një fuqizim i Izraelit, është një fuqizim i Arabisë Saudite, i shteteve të Gjirit. Është një tërheqje e Rusisë, një tërheqje e Iranit,” ka theksuar ai.
Në këtë kontekst, Hoxhaj tha se Perëndimi ka më shumë hapësirë veprimi.
“Kjo situatë ia mundëson presidentit Trump, por edhe perëndimorëve që të jenë më të qartë dhe që t’i largojnë mbeturinat e regjimit klerikan në Iran,” ka deklaruar Hoxhaj.
Duke folur për Ballkanin, ai paralajmëroi për një vit të vështirë që po vjen.
“Viti 2026 është një vit i vështirë për Ballkanin, mund të jetë një vit i vështirë edhe për Kosovën, mund të jetë një vit i vështirë edhe për Evropën,” tha Hoxhaj.
Ai shprehu shqetësim të veçantë për zhvillimet politike në Evropën Perëndimore.
“Shqetësimet të cilat mbi të gjitha unë i kam është që është duke ndodhur një ndryshim i madh politik në Gjermani, në Francë, në Britani të Madhe,” theksoi ai, duke paralajmëruar se forca politike pa interes për Ballkanin mund të vijnë në pushtet.
“Sikurse Le Pen-i apo AfD-ja apo Reform në Britani të Madhe, të cilët nuk e dimë se çfarë qëndrimi mund të kenë në raport me Kosovën,” ka thënë Hoxhaj, në Syri Tv.
Në përfundim, ai vlerësoi se periudha që vjen do të jetë e mbushur me tensione dhe ndryshime të thella politike.
“Prandaj do të jetë një vit i cili në veten e tij paraqet një dramë të madhe dhe një ndryshim të madh,” ka përfunduar Hoxhaj.










