Rinumërimi i votave në vazhdim, KQZ tregon sa vendvotime janë procesuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve sipas listës së vendvotimeve për të cilat është marrë vendim për rinumërim.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për lajmi.net se nga nisja e këtij procesi dhe deri më tani janë rinumëruar 64 nga 914 vendvotime për të cilat është marrë vendim për rinumërim.

Sipas Elezit, vendvotimet e rinumëruara deri më tani u takojnë komunave të Deçanit, Gjakovës, Gllogocit, Gjilanit dhe Dragashit, ndërsa procesi po vazhdon edhe në komunat e tjera.

“Sipas KQZ-së, nga nisja e këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e mërkurë, 14 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar 64 nga 914 vendvotime, të cilat u takojnë komunave të ndryshme, si: Deçan (5), Gjakovë (15), Gllogoc (6), Gjilan (13) dhe Dragash (25)”, ka deklaruar Elezi.

Po ashtu sipas KQZ-së, në platformën zyrtare për rezultate, në hapësirën QNR > Rinumërim, do të publikohen rezultatet pas përfundimit të numërimit të secilit vendvotim.

Sipas vendimit të KQZ-së, në 10 komuna do të rinumërohen 100 për qind e vendvotimeve, përkatësisht në Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug. Derisa, në 28 komuna të tjera do të rinumërohen nga 10 për qind e vendvotimeve.

Ndërkaq KQZ ka sqaruar për lajmi.net se vendimi për rinumërimin e këtij numri të madh të vendvotimeve është marrë për shkak të dyshimeve për mospërputhje të votave ndërmjet kandidatëve për deputetë të subjekteve të ndryshme politike, që përbëjnë rreth 36 për qind të vendvotimeve në nivel vendi. /Lajmi.net/