Posta e Kosovës paralajmëron blerjen e 50 veturave elektrike me vlerë 1.65 milionë euro

Posta e Kosovës ka bërë njoftim paraprak për nisjen e një aktiviteti të prokurimit për blerjen e 50 veturave elektrike, të cilat do të shërbejnë për transportin e dërgesave postare, shkruan Demokracia.com.

Sipas dokumentit zyrtar tw publikuar në E-prokurim, për planifikimin e kontratave, ky investim parashihet të ketë vlerë totale prej 1 milion e 650 mijë euro, ndërsa procedura e prokurimit pritet të fillojë më 16 janar 2026, që nënkupton se aktiviteti do të iniciohet gjatë javës së ardhshme.

Kontrata është e klasifikuar në kuadër të furnizimit, me kodin përkatës të Fjalorit të Përgjithshëm të Prokurimit (FPP) 34112000-5, që i referohet blerjes së automjeteve.

Në dokument theksohet se bëhet fjalë për projekt kapital, i cili do të realizohet me mbështetje financiare nga aksionari, ndërsa veturat elektrike janë paraparë të përdoren si mjete transporti për dërgesat postare, në kuadër të modernizimit të flotës së Postës së Kosovës.

Ky projekt shihet edhe në funksion të orientimit drejt mjeteve më ekologjike dhe uljes së kostove operative në afatgjatë, ndonëse dokumenti nuk jep detaje shtesë mbi specifikimet teknike të veturave apo modelin e prokurimit që do të përdoret. /Demokracia.com/