Trajneri i sapoemëruar i Chelsea, Liam Rosenior, beson se ka shumë më tepër për të treguar nga “klasi botëror” i Cole Palmer. Ai paralajmëroi se mund të duhet kohë për të zhbllokuar potencialin e tij të plotë.
Palmer regjistroi 43 gola dhe 29 asiste gjatë dy sezoneve të tij të para me “blues”, pasi mbërriti nga Manchester City në vitin 2023. Megjithatë, i penguar nga dëmtimet, 23-vjeçari ka luftuar për të pasur një ndikim të vazhdueshëm këtë sezon.
Rosenior, i cili pasoi Enzo Maresca javën e kaluar, do të marrë një vendim të vonë për gjendjen fizike të Palmer përpara ndeshjes së parë gjysmëfinale të Carabao Cup mbrëmjen e së mërkurës, në shtëpi kundër Arsenal.
“Cole është një talent i veçantë. Puna ime është ta njoh atë, të lidhem me të, të kuptoj se çfarë e nxjerr më të mirën prej tij dhe kjo kërkon kohë. Jam thjesht shumë i emocionuar që do të punoj me të”, tha Rosenior.
“Gjëja e frikshme me Cole është se ai tashmë ka aftësi të klasit botëror, por është vetëm 23 vjeç dhe ka shumë më tepër. Mezi pres të punoj me të rregullisht. Ai ka potencial dhe aftësi të padyshimta që janë mjaft të frikshme“, shtoi trajneri i Chelsea.
Rosenior dëshiron t’i japë Palmer lirinë për të arritur nivele të reja: “Lojtarët e mirë mund të luajnë kudo. E kam parë Cole të luajë si një nëntësh i rremë, të luajë në të djathtë e në të majtë. E kam parë të luajë si një dhjetësh”.
“Ai është thjesht një lojtar i klasit botëror. Dua t’i jap atij licencën për të shkuar dhe për të bërë atë që i pëlqen të bëjë, që është të krijojë dhe të shënojë gola”, përfundoi trajneri Liam Rosenior.
The post Rosenior: Mund të duhet kohë për të zhbllokuar potencialin e plotë të Palmer, do t’i jap liri absolute në fushë appeared first on Telesport.










