Shefi i NATO-s pohon se deri 25 mijë ushtarë rusë po vriten çdo muaj në Ukrainë

Në një deklaratë të fundit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka theksuar se Rusia po humb masovisht ushtarë në luftën kundër Ukrainës.

Sipas Rutte, vetëm në një muaj, humbjet ruse arrijnë nga 20 mijë deri në 25 mijë të vrarë.

“Nuk po flas për ata që janë plagosur rëndë, por për ata të vrarë – të vdekur”, theksoi ai.

Krahasuar me luftën në Afganistan në vitet 1980, kur Rusia humbi rreth 20 mijë ushtarë gjatë dhjetë vjetëve, shifrat e luftës në Ukrainë janë “të qarta dhe të papërballueshme”.

“Tani po humbasin atë numër – dhe më shumë – në vetëm një muaj. Kjo nuk është e qëndrueshme edhe për ta”, shtoi Rutte.

Deklarata vjen ndërkohë që forcat ukrainase vazhdojnë të tregojnë një mbrojtje të vendosur kundër agresionit rus, duke shkaktuar humbje të mëdha në radhët e ushtrisë së Moskës.