“Një ‘aktor’ e ka ble temën, ia kanë ndalu shfaqjet” – Tregu i fshehtë i temave të diplomës

Shitblerja e temave të diplomës ka shtrirë rrënjët.

Ajo që duhej të ishte kulmi i angazhimit akademik për shumë studentë, sot po shndërrohet në një proces që blihet me para.

Një rast i tillë është bërë i ditur nga një studente e Fakultetit të Arteve.

Për Kiks Kosova, ajo tregon për një situatë të ndodhur në një universitet privat, ku një student ka paguar për përgatitjen e temës së tij të diplomës.

Sipas saj, raste të tilla po ndikojnë drejtpërdrejt në motivimin e studentëve që ndjekin rregullat akademike dhe po e zbehin besimin në vlerën reale të diplomës.

Ndërkaq, Donart Humolli nga organizata “Reforma në Proces”, thotë se ky fenomen ka ekzistuar prej kohësh, por së fundmi është shpeshtuar.

Ai shton se në Universitetin e Prishtinës nuk ka dëgjuar për raste të raportuara zyrtarisht, por prania e faqeve në rrjete sociale tregon se fenomeni ekziston dhe po përhapet.

Ndërkaq, dekani i Fakultetit Filozofik, Bekim Baliqi, e quan shqetësuese praktikën e blerjes dhe shitjes së temave të diplomës.

Ai thotë se fakulteti nuk ka pasur raste specifike të raportuara, por janë ndërmarrë masa parandaluese.

Baliqi shton se Universiteti i Prishtinës aktualisht nuk ka një platformë aktive kundër plagjiaturës, ani pse sipas tij një sistem i tillë është shumë i domosdoshëm, sidomos për shkak të përhapjes së inteligjencës artificiale dhe rreziqeve që ajo sjell në vlerësimin e punimeve akademike.