Konsulli në Frankfurt, në rresht me pushtetin: “like”-a kundër UÇK-së, përkëdhelje për VV-në

Nga pëlqimet e postimeve që sulmojnë ish-krerët e UÇK-së, te reagimet pozitive ndaj figurave dhe narrativave të pushtetit aktual, aktiviteti i konsullit të Kosovës në Gjermani në rrjete sociale tregon një kahje të qartë politike, shkruan Demokracia.com. 

Pas rastit të publikuar një ditë më parë, ku Gëzim Gashi, konsull i Republikës së Kosovës në Frankfurt, u gjet duke pëlqyer një postim me akuza të rënda ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, dalin në pah dëshmi të reja vizuale që e vendosin këtë veprim në një kontekst shumë më të gjerë.

Konsulli i Kosovës në Frankfurt e pëlqen postimin ku Hashim Thaçi akuzohet për vrasje e plaqkitje: E bëra pa qëllim

Screenshot-et e siguruara tregojnë se Gashi nuk ka qenë thjesht një “kalimtar i rastësishëm” në rrjete sociale. Përkundrazi, aktiviteti i tij online dëshmon një angazhim të vazhdueshëm përmes pëlqimeve në postime që sulmojnë drejtpërdrejt Ushtria Çlirimtare e Kosovës, figurat e saj politike dhe opozitën, ndërsa njëkohësisht afrohen e përkrahen narrativat e pushtetit aktual.

Në disa postime, të pëlqyera nga konsulli, përdoret gjuhë e ashpër kundër ish-udhëheqësve të luftës, etiketohen kritikët e qeverisë si “shërbëtorë të regjimit të vjetër”, ndërsa në të tjera mbështeten thirrje për protesta, përplasje institucionale dhe diskurs politik që përkon plotësisht me vijën e Lëvizja Vetëvendosje.

Në reagimin zyrtar pas raportimit të parë, Konsullata ishte arsyetuar se pëlqimi ndaj postimit me akuza për vrasje e plaçkitje ndaj Thaçit ishte bërë “pa qëllim”. Mirëpo, materialet e reja tregojnë se pëlqimet nuk janë as të rralla, as të izoluara. Ato përsëriten në postime të ndryshme, nga profile të ndryshme, por me një emërues të përbashkët qe kanw sulmin ndaj opozitës dhe ish-UÇK-së, lavdërim ose mbështetje për pushtetin aktual.

Në listat e reagimeve, emri i konsullit figuron krahas aktivistëve partiakë dhe profileve të njohura për propagandë politike. Në këtë kuptim, “like”-u nuk është më veprim teknik, por pozicionim publik.

Pozita e konsullit përfaqëson shtetin e Kosovës jashtë vendit dhe kërkon përmbajtje, neutralitet dhe maturi. Megjithatë, aktiviteti i vazhdueshëm i Gashit në rrjete sociale e zhvesh këtë rol nga karakteri diplomatik dhe e shndërron në një profil aktiv politik, të rreshtuar qartë në njërën anë të spektrit.

Pra, ai nuk po shfaqë distancë institucionale, por ka zgjedhur të flasë përmes “like”-ve, duke marrë anë në debatet më të ndjeshme politike në Kosovë, përfshirë çështje që prekin drejtpërdrejt luftën, drejtësinë dhe raportet mes pushtetit dhe opozitës.

Deri më tani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka reaguar për këtë sërë ndërveprimesh publike. Volumi dhe përmbajtja e pëlqimeve e bëjnë të vështirë që ky aktivitet të trajtohet si incident i izoluar. /Demokracia.com/