Trump thirrje iranianëve: “Merrni institucionet në dorë, ndihma po vjen”

Presidenti amerikan pezullon çdo kontakt me Teheranin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u ka bërë thirrje publike qytetarëve iranianë që të vazhdojnë protestat dhe të “marrin institucionet në dorë”, duke premtuar se “ndihma është rrugës”.

“VAZHDONI PROTESTAT – MERRNI INSTITUCIONET NË DORË!!! Ndihma po vjen”, shkroi Trump, duke i ftuar protestuesit të dokumentojnë emrat e atyre që, sipas tij, janë përgjegjës për dhunën.

“Ruani emrat e vrasësve dhe abuzuesve. Ata do të paguajnë një çmim të lartë”, shtoi ai.

Trump deklaroi gjithashtu se ka anuluar të gjitha takimet dhe kontaktet me përfaqësues të qeverisë iraniane, duke e kushtëzuar rifillimin e tyre me ndalimin e asaj që ai e quajti “vrasje pa sens të protestuesve”.

Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një moment tensionesh të larta në Iran, ku protestat masive janë shoqëruar me përplasje të dhunshme mes forcave të sigurisë dhe demonstruesve.

Më herët gjatë së martës, një zyrtar iranian i tha agjencisë Reuters se rreth 2 mijë persona janë vrarë gjatë protestave, duke ia atribuar shumicën e viktimave “grupeve terroriste”.

Sipas autoriteteve iraniane, mes të vrarëve ka civilë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë.