Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe tre të akuzuar të tjerë janë paraqitur të martën para gjykatës lidhur me rastin për “Rezervat shtetërore”.
Seanca do të fillojë nga ora 09:30.
Shqyrtimi fillestar ishte caktuar njëherë për 10 dhjetor, por pati dështuar pasi Hajdari nuk ishte paraqitur në gjykatë, për çka është arsyetuar se nuk ka marrë thirrje nga gjykata.
Bazuar në aktakuzën e PSRK-së, të pandehurit Rozeta Hajdari në cilësinë e ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica si zëvendëssekretar dhe Hafiz Gara në pozitën e Drejtorit të Departamentit të Rezervave Shtetërore, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, duke iu shmangur procesit të konkurrencës, me procedurë të negocimit kishin negociuar dhe më pas nënshkruar kontratën me kompaninë turke “Yafe Turizm Indaat Sanayi ve Ticaret Anonim Sirketi” me seli në Bursa të Turqisë, për blerjen e 10 mijë tonë grurë me çmim prej 4,834,778.00 euro. Aty thuhet se çmimi për blerje të grurit ishte kontraktuar 193.48 euro më i lartë sesa çmimi mesatar i tregut.
Në aktakuzë më tej thuhet se të pandehurit Hajdari, Lipovica dhe Gara kanë negociuar dhe nënshkruar kontratë edhe me kompaninë “Xanto SP. ZO. O” me seli në Gdynia të Polonisë për blerjen e 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer. Mirëpo, përkundër pagesës së kryer, malli nuk ishte pranuar asnjëherë.
Hajdari, Lipovica, Gara ngarkohen se zbuluan fshehtësinë zyrtare duke ia vënë në dispozicion Muharremit informatën për vendndodhjen e deponimit të grurit si mall i rezervës shtetërore.














