Më 2025, çmimet u rritën për 3.9%, nëntori e dhjetori muajt “më të shtrenjtë”

Çmimet e konsumit në Kosovë më 2025 u rriten për 3.9% krahasuar me vitin 2024, duke dobësuar fuqinë blerëse. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, çmimet në dhjetorin e vitit që shkoi ishin për 5.3 për qind më të larta sesa në dhjetorin e 2024-s.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 5,3 % në muajin dhjetor 2025, krahasuar me muajin dhjetor 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te pemët (19,0%),energjia elektrike (18,3%), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (18,1%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (14,7%), mishi (14,4%), pushime të organizuara (13,5%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (13,1%), kafja, çaji dhe kakao (11,9%), qumështi, djathi dhe vezët (9,8%)…”, thuhet në raportin e ASK-së.

Energjia elektrike, kafeja, pemët dhe mishi janë ndër produktet që pësuan rritje të çmimeve gjatë vitit 2025. E, sipas ASK-së, rënie të çmimeve pati te karburantet.

Për vitin 2026, Banka Qendrore e Kosovës parashikon që inflacioni të jetë 3.4 për qind.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, çmimet e ushqimit dhe ato të energjisë përbëjnë shtysën kryesore të inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore (CESEE), ku bën pjesë edhe Kosova.

Ky institucion parasheh që inflacioni gjatë vitit 2026 në Kosovë të jetë 3.5 për qind, ndërsa rritja ekonomike 3.9 për qind.

Në fakt, rritja e ekonomisë së Kosovës është ngadalësuar për herë të parë që nga pandemia. Në vitin paraprak ka rënë për 0.7 për qind, por ende mbetet më e larta në rajon me afro 3.9 për qind rritje.