Kërkohet shkarkim “i menjëhershëm” i konsullit në Frankfurt pasi “pëlqeu” shkrimin ku Thaçi akuzohet për “vrasje”

“Shkarkim të menjëhershëm”, “Minisria e Punëve të Jashtme të sqarohet”, “Zgjatim i narracionit të Serbisë”

Vrasës e plaqkitës. Këto janë dy atribute të rënda që Konsulli i Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, i beson–dhe besimin e tij, e shpërfaqë publikisht–se i ka Hashim Thaçi, ish-Presidenti i Kosovës, tash e pesë vite në paraburgim në Gjykatën Speciale të Hagës ku Ushtria Çlirimtare e Kosovës po ngarkohet me akuza si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Diplomati kosovar gjeti veten duke i dhënë miratim, përmes “llajkut”, një postimi ku Hashim Thaçit, i vishen akuza të rënda për “vrasje dhe plaqkitje”. Nacionale e kontaktoi Konsulatën në Frankfurt, dhe “llajku u hoq”. Arsyetimi ishte se u bë “pa qëllim” dhe se diplomati “nuk përfshihet në diskutime të tilla”. Se a beson njëmend në atë çka ka “pëlqyer”, Konsulata u përgjigj fare shkurt se “nuk beson”.

Një valë e madhe dënimesh ka pasur nga politikanë, opinionistë dhe profesionistë ndaj aktivitetit të konsullit kosovar. Shkarkimi i tij i menjëhershëm u kërkua nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja e kësaj partie Vlora Çitaku, tha se veprimi i tij “nuk është rastësi dhe as qëndrim individual”, por “pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje”.

“Pëlqimi publik i një shkrimi denigrues dhe akuzues ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga një përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës nuk është rastësi dhe as qëndrim individual. Ai pasqyron një mentalitet politik të instaluar në qeverisje, ku sulmi ndaj figurave të historisë shtetformuese është kthyer në mjet politik.” – tha Çitaku.

Veprime të tilla ajo i cilësoi si “dëmtim të drejtpërdrejtë të imazhit dhe interesit shtetëror.”

“Kur përfaqësues zyrtarë të shtetit përdorin ose mbështesin gjuhë përçarëse ndaj Presidentit që ka shpallur Pavarësisnë e Kosovës, kjo nuk është kritikë politike, është dëmtim i drejtpërdrejtë i imazhit dhe interesit shtetëror. Aq më tepër kur kjo ndodh ndërkohë që ai prej vitesh përballet me drejtësinë në Hagë për Kosovën, jo për veten. – shtoi ajo ndër të tjera.

Konsulli i Kosovës në Frankfurt e pëlqen postimin ku Hashim Thaçi akuzohet për vrasje e plaqkitje: E bëra pa qëllim

Çitaku kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të konsullit: “Për këto arsye, ky konsull nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë ta përfaqësojë Republikën e Kosovës. Në emër të dinjitetit shtetëror dhe interesit publik, duhet të ndodhë shkarkimi i tij i menjëhershëm. Kosova meriton përfaqësim dinjitoz, profesional dhe unifikues në ambasadat dhe konsullatat e saj, kudo në botë.”

Ndërsa ish-këshilltari i Presidentit Thaçi Artan Behrami kujtoi se diplomatët kosovarë janë shkarkuar edhe për veprime më të vogla.

“Presidentja, Vjosa Osman dhe Donika Gërvalla duhet ta shkarkojnë sot këtë konsullin e Përgjithshëm (me mandat të skaduar) që pëlqen postimet e propagandës serbe dhe të Gjykatës Speciale Nëse nuk e shkarkojnë, atëherë ato e dëshmojnë se janë në agjendë totale të narracionit serb! Veç sa për rikujtim: diplomatët në të kaluarën janë shkarkuar për cikërrima”, shkroi Behrami.

Gazetari Lirim Mehmetaj logjikën e diplomatit kosovar e sheh krejtësisht në “fitore” të Serbisë dhe akuzave që Beogradi zyrtar shtron dhe mirëmbanë ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Vec paramendojeni kete cka flet neper takime jo publike me diplomate te huaj, kur i njejti merr guximin edhe publikisht me jep pelqime se si ish-presidenti i Kosoves dhe themeluesi i UÇK-se qenka “vrases”… Pothuajse pa perjashtim, te emeruatit e Vjosa Osmanit e Donika Gervalles jane persona te tille qe zgjatojne narracionin e Serbise. A ka fitore me te madhe per Serbine sesa kur perfaqesuesi i Kosoves beson se personi qe shpalli pavaresine e Kosoves ishte “vrases””, shkroi Mehmetaj.

Avokati Arianit Koci kërkoi sqarim të menjëhershëm institucional se veprimi përfaqëson gabim të individit dhe jo qëndrim të vetë institucionit.

“Akuza pa asnjë provë, të ricikluara prej vitesh nga Beogradi zyrtar. Për këtë arsye, pëlqimi i tij krijon shqetësim institucional. Thaçi ka pasur rol të rëndësishëm në krijimin e shtetit të Kosovës. Prandaj, çdo dënim eventual nuk interpretohet vetëm si proces ndaj një individi, por si goditje ndaj vetë Kosovës në skenën ndërkombëtare”, tha ai.

“Sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike (1961), diplomati përfaqëson shtetin në çdo rrethanë. Edhe një reagim personal lexohet si veprim i shtetit që e dërgon. Prandaj, kjo situatë kërkon distancim të menjëhershëm institucional. Ftoj Ministrinë e Punëve të Jashtme të sqarojë se ky ka qenë incident/gabim individual i konsullit dhe jo qëndrim i institucionit”, përfundoi Koci.