Në një emision televiziv në Serbi ishte i ftuar Nexhat Behluli, emër i njohur në Luginën e Preshevës, veçanërisht në Bujanoc, dhe pronar i kompanisë mediale–televizive “Spektri”.
Gjatë diskutimit për Republikën e Kosovës, në emision ka telefonuar drejtpërdrejt një grua nga Zemun, e cila ka hedhur akuza ndaj televizionit pse, sipas saj, kanë ftuar një shqiptar “për të na shkatërruar nervat”.
Ajo e ka akuzuar Behlulin për propagandë në favor të Kosovës dhe në dëm të Serbisë, duke vënë në pikëpyetje praninë e tij në një televizion serb.
Pas përfundimit të telefonatës, Behluli i është përgjigjur akuzave, duke thënë se është i gatshëm të kërkojë falje publike nëse prania e tij i shkakton nervozizëm dikujt, por ka theksuar se nuk është i gatshëm të gënjejë për hir të rehatisë së askujt.
Ai ka deklaruar se Kosova është republikë, se nuk është krahinë jugore e Serbisë dhe se është e njohur nga mbi 100 shtete, duke shtuar se ka institucione funksionale, përfshirë presidentin, qeverinë, kuvendin, policinë dhe doganat.
Behluli ka theksuar se qëllimi i emisioneve televizive nuk duhet të jetë gënjeshtra apo “bërja qejfit”, por përballja me të vërtetën.
Sipas tij, debatet rreth numrit të njohjeve të Kosovës janë shpesh lojëra fjalësh dhe manipulim i opinionit publik, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë.
Në fund, ai ka ftuar këdo që mendon se ka paraqitur informacione të rreme të dalë dhe ta kundërshtojë me fakte, duke u shprehur i gatshëm të kërkojë falje publike nëse vërtetohet e kundërta.
Transkripta e plotë nga emisioni.
Mirëdita, urdhëroni.
– Halo, mirëdita. Jam nga lagjja, nga Zemun, po ju thërras.
– Urdhëroni.
– Desha personalisht, Vanja, të të pyes pse e sillni vazhdimisht këtë shqiptar që na i prish nervat, që ai, në Serbinë tonë, në Serbinë tonë, ka televizionin e vet, gëzon të gjitha të drejtat si çdo serb. Kjo është edhe Serbia e tij, duhet ta pranoni.
– Prit, prit, po, është edhe Serbia e tij, por… më fal, por Kosova është republikë. Kosova është republikë.
– Atëherë pse nuk hap televizion atje poshtë? Çfarë do, të bëjë propagandë? Pse e sillni, për Zotin, që të imitojë dhe të na i prishë nervat? Të them diçka si banore e Serbisë, si qytetare e këtij vendi, vërtet, vërtet na shkon shumë në nerva. Edhe fqinjët e mi thonë: “Hë mo, thuaji Vanjës të mos e sjellë më atë, ai në gjithçka ngjan, vetëm gazetar apo njeri televizioni jo”.
– Faleminderit shumë zonjë, por kjo tashmë…
Pas mbarimit te telefonates, i eshte pergjigjur Behluli.
Zonjës, nuk ia mbaj mend emrin, ajo tha se prania ime këtu i prish nervat. Unë tani publikisht dua t’i kërkoj falje, nëse unë kontribuoj që ajo të ndihet nervoze.
Nëse ajo dëshiron të ndihet mirë kur më dëgjon mua, unë mundem, siç bëjnë shumë panelistë këtu, të përshtatem dhe t’i gënjej. Mund t’i gënjej dhe t’i them:
“Zonjë, nesër mund të shkoni në Kosovë, nuk të duhet letërnjoftim, as pasaportë, as regjistrim, as sigurim. Shkon lirshëm në Prishtinë, askush nuk të prek, flet serbisht.”
Por jo.
Kosova është republikë.
Kosova nuk është krahinë jugore e Serbisë.
Kosova është e njohur nga mbi 100 shtete.
Kosova ka president, ka qeveri, ka kuvend, ka polici, ka doganë.
Nëse asaj zonje dhe shumë të tjerave në Serbi u përshtatet që unë t’i gënjej për t’u ndier më mirë, atëherë le ta bëjmë një emision të tillë dhe unë publikisht t’u dal në ndihmë, që pas gjithë këtyre viteve që i kam nervozuar, tani t’ua kompensoj.
Por a është qëllimi i emisionit të gënjejmë njerëzit? Jo.
A është qëllimi t’u bëjmë qejfin?
Atëherë le të përballemi një herë me të vërtetën. Kjo është e vërteta. Le të dalë një shikues, kushdo, dhe të thotë se unë kam thënë qoftë edhe një informacion të rremë – jam gati të kërkoj falje publikisht.
Ne mund të mos pajtohemi nëse janë 116 apo 108 njohje, kjo nuk është aq thelbësore. Nëse dëgjojmë Daçiqin, ministrin e Jashtëm të Serbisë, çdo javë paska nga një çnjohje. Nëse dëgjojmë Pacollin, çdo javë paska nga një njohje të re. Këto janë lojëra fjalësh dhe manipulim i opinionit publik në Kosovë dhe Serbi.
Por le të dalë dikush dhe të thotë se faktet që unë po i paraqes këtu janë të rreme – unë jam gati të kërkoj falje publikisht.










