Presidenti Trump, në një intervistë për NBC News, mohoi se kishte dijeni për hetimin.
Kryetari i Rezervës Federale të SHBA-ve, Jerome Powell, ka deklaruar se prokurorët federalë kanë hapur një hetim penal ndaj tij, një veprim që ai e cilësoi si “të paprecedentë” dhe të motivuar politikisht nga presioni i administratës së presidentit Donald Trump.
Në një dalje publike të pazakontë, Powell konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë (DoJ) i ka dorëzuar Rezervës Federale një thirrje zyrtare dhe ka kërcënuar me aktakuzë penale lidhur me dëshminë që ai dha para një komisioni të Senatit mbi rinovimin e ndërtesave të Fed-it në Washington.
Sipas Powell, hetimi lidhet drejtpërdrejt me pakënaqësinë e presidentit Trump ndaj refuzimit të Fed-it për të ulur normat e interesit, pavarësisht presionit të vazhdueshëm publik nga Shtëpia e Bardhë. Ai paralajmëroi se në lojë është pavarësia e Bankës Qendrore Amerikane.
“Çështja është nëse Rezerva Federale do të vazhdojë të përcaktojë politikën monetare mbi bazën e fakteve dhe kushteve ekonomike, apo nëse ajo do të drejtohet nga presioni apo intimidimi politik”, tha Powell.
Presidenti Trump, në një intervistë për NBC News, mohoi se kishte dijeni për hetimin, por sulmoi sërish Powell-in, duke thënë se ai “nuk është i mirë as në drejtimin e Fed-it dhe as në ndërtimin e ndërtesave”.
Hetimi lidhet me projektin e parë madhor të rinovimit të dy ndërtesave historike të Rezervës Federale – Eccles Building dhe ndërtesës në 1951 Constitution Avenue – që nga vitet 1930. Projekti përfshin punime modernizimi dhe masa sigurie, si heqja e azbestit dhe ndotjeve me plumb. Ndërsa Fed parashikon një kosto prej 2.5 miliardë dollarësh, Trump ka kritikuar projektin duke pretenduar se shpenzimet do të arrijnë në 3.1 miliardë dollarë.
Reagimet politike kanë qenë të forta. Senatori republikan Thom Tillis deklaroi se do të bllokojë çdo emërim të ri në Bordin e Fed-it derisa çështja ligjore të zgjidhet, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë. Nga ana tjetër, senatorja demokrate Elizabeth Warren e akuzoi Trump-in se synon të largojë Powell-in për të “vendosur një kukull politike” në krye të bankës qendrore.
Powell pritet të largohet nga posti i tij në maj, ndërsa Trump pritet të shpallë pasardhësin brenda këtij muaji. Megjithatë, hetimi penal mund të komplikojë procesin.
Lajmi për hetimin, i kombinuar me tensionet ndërkombëtare, ka ndikuar edhe në tregje. Çmimi i arit u rrit me 1.4% duke arritur mbi 4,570 dollarë për ons, ndërsa argjendi shënoi gjithashtu rekord të ri.
Kjo përplasje e hapur mes Shtëpisë së Bardhë dhe Rezervës Federale shihet nga analistët si një moment kritik për besueshmërinë dhe pavarësinë e institucioneve ekonomike të SHBA-ve.










