Teherani fajëson SHBA-të dhe Izraelin për dhunën gjatë protestave.
Irani nuk po kërkon luftë, por është i përgatitur për çdo skenar, ka deklaruar ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, duke fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestave që kanë përfshirë vendin.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Araghchi tha se situata aktuale nuk mund të përshkruhet më si protesta civile, por si “një luftë terroriste kundër vendit”.
Sipas tij, grupe të armatosura kanë infiltruar demonstratat dhe kanë vepruar me mbështetje të jashtme.
“Ne kemi dokumente që tregojnë ndërhyrjen amerikane dhe izraelite dhe do t’i ndjekim autorët dhe organizatorët e këtyre akteve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit”, deklaroi ai.
Ministri i Jashtëm iranian lidhi përshkallëzimin e dhunës me paralajmërimet e bëra nga presidenti amerikan Donald Trump ndaj Teheranit, duke pretenduar se pas këtyre deklaratave protestat u kthyen në të përgjakshme për të krijuar, sipas tij, justifikim për ndërhyrje të huaj.
Araghchi tha se autoritetet iraniane posedojnë regjistrime audio dhe prova që tregojnë se elementë të armatosur kanë marrë urdhra për të qëlluar ndaj civilëve dhe forcave të sigurisë.
Ai shtoi se situata në vend është “plotësisht nën kontroll” dhe se shërbimi i internetit do të rikthehet gradualisht për ambasadat dhe institucionet shtetërore. Sipas Araghchit, qeveria ka nisur gjithashtu dialog me aktorë të përfshirë në protesta dhe ka marrë masa dhe reforma që pritet të zbatohen.
Protestat në Iran nisën më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, pas zhvlerësimit të fortë të monedhës kombëtare dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, duke u përhapur më pas në dhjetëra qytete të tjera.









