OSHP e shfuqizon kontratën e “Hidroksid Natriumit” dhe i shqipton vërejtje zyrtare prokurimit të KEK-ut

Raportimi i para disa ditëve nga Demokracia.com për dyshimet në tenderin emergjent të KEK-ut për furnizim me Hidroksid Natriumi ka marrë trajtë institucionale. Panli i Organit Shqyrtues të Prokurimit e ka vlerësuar si të bazuar ankesën një operatorit ekonomik dhe i ka rekomanduar KEK-ut që ta shfuqizojë kontratën. Madje, një vërejtje për shkelje i ka shqiptuar edhe zyrtarit të prokurimit, shkruan Demokracia.com.

Vetëm pesë orë kohë për ofertim, eliminim i operatorëve me çmimin më të ulët dhe kontratë e nënshkruar me rreth 35 mijë euro më shtrenjtë. Ky është thelbi i procedurës emergjente të KEK-ut për furnizim me Hidroksid Natriumi. Dokumentet e siguruara tregojnë se, brenda një afati minimal dhe me kritere të ngritura papritur, janë eliminuar ofertat më të lira, ndërsa kontrata i është dhënë të njëjtit operator që ka marrë edhe tre kontrata të tjera me negocim përgjatë vitit.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka marrë vendim lidhur me aktivitetin e prokurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për “Furnizim me Hidroksid Natriumi”. Paneli Shqyrtues, ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik N.T.SH. “BIZUN” dhe ka vendosur që kontrata e nënshkruar nga autoriteti kontraktues të shfuqizohet. Vendimi, i nxjerrë nuk mbyllet vetëm me anulimin e kontratës: ai shkon edhe më tej, duke e cilësuar rrjedhën e procedurës si në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, dhe duke i shqiptuar vërejtje zyrtare Zyrtarit Përgjegjës të Prokurimit me paralajmërim të hapur se, nëse shkeljet përsëriten, mund të iniciohet procedurë për revokimin e certifikatës së prokurimit.

Sipas vendimit, KEK obligohet që brenda 10 ditësh ta informojë OSHP-në për të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrë pas këtij vendimi.

Rasti lidhet me një procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, të cilën KEK e ka cilësuar si emergjencë ekstreme. Në arsyetimin procedural të vendimit përmendet se ftesa për ofertim i është dërguar operatorëve më 13 nëntor 2025, ndërsa afati për dorëzim të ofertave është caktuar më 14 nëntor 2025 në ora 12:00. Më pas, më 14 nëntor 2025 në ora 15:48 është publikuar njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues, ndërsa më 17 nëntor 2025 është publikuar njoftimi për dhënie të kontratës.

Ankesa e operatorit “BIZUN” është pranuar në OSHP më 18 nëntor 2025, pas refuzimit të një kërkese për rishqyrtim në nivel të autoritetit kontraktues. Në pretendimet e tij, operatori ankues ka theksuar se është ftuar për ofertim në një afat të shkurtër, duke argumentuar se një procedurë emergjente është zhvilluar paralelisht me një proces të rregullt 3-vjeçar të kontratës kornizë për të njëjtin produkt, ku “BIZUN” kishte qenë i kualifikuar si operator i përgjegjshëm. Sipas ankesës, në procedurën emergjente janë kërkuar edhe kritere e dokumentacion më të lartë se në procedurën 3-vjeçare, ndërsa kompania pretendon se eliminimi i saj ka prodhuar edhe pasojë financiare në dëm të buxhetit, për shkak se oferta e saj ishte më e ulët.

Në thelb të mosmarrëveshjes ka qenë arsyeja e eliminimit të operatorit. KEK ka arsyetuar se në Dosjen e Tenderit ishte kërkuar deklaratë e prodhuesit që e garanton operatorin me furnizim të NaOH 45-50% sipas standardit EN 896:2012, ndërsa “BIZUN” kishte paraqitur dokumentacion që, sipas KEK-ut, nuk e plotësonte këtë kërkesë në formën e kërkuar. “BIZUN”, nga ana tjetër, ka pretenduar se Dosja e Tenderit nuk e kishte përcaktuar formatin e dokumentit mbështetës dhe se kishte dorëzuar deklarata dhe dokumente të prodhuesit që mbulonin periudha të vlefshme, si dhe dokument mbështetës specifik për tenderin. Operatori ka argumentuar se përjashtimi është bërë duke u thirrur në elemente që nuk kanë qenë të specifikuara qartë në dokumentet e tenderit dhe se autoriteti kontraktues ka pasur mundësi ligjore të kërkojë sqarime shtesë, por nuk e ka bërë këtë.

Në kuadër të shqyrtimit, OSHP ka autorizuar ekspert shqyrtues, i cili ka analizuar dokumentacionin, pretendimet dhe veprimet e palëve. Raporti i ekspertit është dorëzuar më 4 dhjetor 2025 dhe u është shpërndarë palëve. Autoriteti kontraktues është shprehur se nuk pajtohet me gjetjet e ekspertit, ndërsa operatori ankues ka deklaruar pajtim me rekomandimet e tij. Paneli ka vlerësuar se rasti mund të trajtohet pa seancë dëgjimore, pasi shkresat dhe provat e administruara janë konsideruar të mjaftueshme për të vendosur në aspektin meritor.

Në gjetjet e tij, eksperti ka theksuar se autoriteti kontraktues nuk mund të shtojë, modifikojë apo aplikojë kritere që nuk janë të përcaktuara në dosjen e tenderit gjatë fazës së ekzaminimit dhe vlerësimit. Ai ka vlerësuar se kërkesa për “deklaratë të prodhuesit” ishte vendosur te specifikimet teknike dhe nuk ishte shoqëruar me kufizime të qarta mbi formën, përmbajtjen apo lidhjen e saj me një numër të caktuar prokurimi. Sipas ekspertit, operatori ankues kishte paraqitur dokumente që mund të konsideroheshin në përputhje me kërkesën, ndërsa KEK nuk ka përdorur mekanizmin e nenit 72 të LPP-së, i cili lejon kërkimin e sqarimeve ose plotësimeve kur dokumentacioni duket i paplotë ose i paqartë. Mbi këtë bazë, eksperti ka rekomanduar aprovimin e ankesës dhe shfuqizimin e kontratës.

Eksperti i OSHP-së konstaton shkelje serioze në tenderin emergjent të KEK-ut – gjetjet e tij e përforcojnë raportimin e Demokracia.com

Paneli Shqyrtues ka deklaruar se e ka vlerësuar në mënyrë të pavarur raportin e ekspertit, shkresat e lëndës dhe provat e administruara, duke arritur në përfundim se ankesa duhet të aprovohet. Në vendim thuhet se autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e prokurimit publik dhe me kërkesat e dosjes së tenderit, ndërsa konstatohet se arsyetimet e përdorura për eliminimin nuk janë mbështetur me prova të mjaftueshme në të gjitha pikat. Paneli ka marrë në konsideratë edhe mënyrën e ndjekjes së afateve dhe të publikimit të njoftimeve, duke vlerësuar se rrjedha procedurale ka krijuar situatë ku operatorët e përfshirë nuk kanë pasur mundësi reale të ndjekin mjetet juridike në afatet e parashikuara.

Përveç vendimit për shfuqizimin e kontratës, Paneli ka shqiptuar vërejtje zyrtare ndaj zyrtarit përgjegjës të prokurimit në KEK për moszbatim të dispozitave të caktuara të LPP-së, përfshirë parimet themelore dhe rregullat për kërkesën për rishqyrtim. Në vendim theksohet se në të ardhmen, nëse dispozitat e përmendura nuk zbatohen, mund të iniciohet procedurë për revokimin e certifikatës së prokurimit për shkak të shkeljeve.

Kjo është hera e dytë që Paneli i drejtohet Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për të ndërmarrë masa ndaj autoriteteve të prokurimit të KEK-ut. Disa muaj më parë, i njëjti Panel i ishte drejtuar KRPP-së me kërkesë që të revokojë në tërësi certifikatën profesionale të prokurimit për zyrtarin kryesor të prokurimit. Megjithatë, KRPP ende nuk ka nxjerrë një vendim përfundimtar, pasi lënda ndodhet në shqyrtim prej disa muajsh.

Në fund, OSHP sqaron se kundër këtij vendimi nuk lejohet ankesë brenda OSHP-së, por pala e pakënaqur ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Komerciale në Prishtinë me padi brenda 30 ditësh nga data e pranimit të vendimit.

Raportimi i publikuar disa ditë më parë nga Demokracia.com për dyshimet rreth tenderit emergjent të KEK-ut për furnizim me Hidroksid Natriumi ka kaluar në trajtim institucional. Në atë kohë, Demokracia.com kishte dokumentuar se procedura ishte zhvilluar brenda vetëm pesë orësh pune efektive, se dy ofertat me çmimet më të ulëta ishin eliminuar dhe se kontrata ishte dhënë me rreth 35 mijë euro më shtrenjtë, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën e organizimit të procesit dhe mbrojtjen e parasë publike.

Në reagimet e saj, KEK kishte deklaruar se procedura ishte zhvilluar në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik, duke u thirrur në nevojën për emergjencë ekstreme dhe duke insistuar se kriteret teknike ishin vendosur nga njësia profesionale dhe se afatet e shkurtra ishin të zbatueshme. Megjithatë, raporti i ekspertit të OSHP-së dhe më pas vendimi i Panelit Shqyrtues kanë konstatuar se gjatë këtij aktiviteti janë aplikuar kritere të pa-parashikuara në dosjen e tenderit dhe janë anashkaluar mekanizma ligjorë që do të garantonin trajtim të barabartë dhe transparencë, duke i dhënë kështu këtij rasti një epilog institucional./Demokracia.com/

Dyshimet për keqpërdorim prej mbi 35 mijë eurosh në tenderin emergjent të KEK – si u dha kontrata më e shtrenjtë brenda vetëm pesë orësh pune