Pavarësisht ndërprerjes së internetit në të gjithë vendin, pamjet që duket se tregojnë kushtet në terren në Iran ende po shpërndahen në rrjete sociale.
Një video, e cila pretendon se tregon përleshjet në qytetin lindor të Mashhadit, tregon një ndërtesë të mbuluar nga flakët përpara se protestuesit të shihen duke u fshehur pas rrënojave dhe barrikadave në një rrugë.
Siluetat, që thuhet se janë forcat iraniane të sigurisë, duket se qëllojnë nga një urë për këmbësorë.
Një video e mëparshme tregon gjithashtu një protestues duke realizuar grafiti në një tabelë reklamash sipër një turme të madhe në kryeqytetin Teheran.
Ndryshe, presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, për herë të parë iu drejtua protestuesve dhe dha intervistë mbi situatën ekonomike me mediat kombëtare të lidhura me regjimin.
Gjatë intervistës, ai tha se “terroristët” e lidhur me fuqitë e huaja po vrisnin njerëz, po digjnin xhami dhe po sulmonin pronën publike.
“Armiqtë e Iranit po kërkonin të mbjellnin kaos dhe çrregullim duke urdhëruar trazira”, tha ai. /Telegrafi/










