Me të gjitha votat tashmë të numëruara, zgjedhjet e 28 dhjetorit sollën befasi që shkuan përtej përqindjeve partiake, duke rikonfiguruar fuqinë brenda vetë listave. Vëmendje të veçantë morën Arian Tahiri dhe Përparim Gruda, të cilët siguruan numër të madh votash. Ky sukses i renditi ata menjëherë pas dy kandidatëve për kryeministër, përkatësisht në pozitën e tretë dhe të katërt të top-listës së partive ish-opozitare.
Në krye të listës qëndron i padiskutueshëm kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, i cili ka marrë plot 161,931 vota. Menjëherë pas tij – ndonëse në distancë të madhe nga Hamza – si lideri i dytë më i votuar në bllokun opozitar vjen kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke siguruar besimin e 88,445 qytetarëve, në një nga rezultatet më të dobëta në histori të kësaj partie.
| # | Kandidati | Partia | Vota |
|---|---|---|---|
| 1 | Bedri Hamza | PDK | 161,931 |
| 2 | Lumir Abdixhiku | LDK | 88,445 |
| 3 | Arian Tahiri | PDK | 71,699 |
| 4 | Përparim Gruda | PDK | 66,110 |
| 5 | Hykmete Bajrami | LDK | 57,153 |
| 6 | Uran Ismaili | PDK | 56,415 |
| 7 | Ukë Rugova | LDK | 49,605 |
| 8 | Sala Jashari | PDK | 47,928 |
| 9 | Vlora Çitaku | PDK | 45,190 |
| 10 | Avdullah Hoti | LDK | 44,550 |
| 11 | Doarsa Kica Xhelili | LDK | 44,110 |
| 12 | Ramush Haradinaj | AAK | 43,997 |
| 13 | Kujtim Shala | LDK | 41,080 |
| 14 | Enver Hoxhaj | PDK | 39,725 |
| 15 | Arben Mustafa | PDK | 39,368 |
| 16 | Anton Quni | LDK | 31,899 |
| 17 | Nait Hasani | PDK | 31,586 |
| 18 | Rrahman Rama | PDK | 28,847 |
| 19 | Armend Zemaj | LDK | 28,803 |
| 20 | Ganimete Musliu | PDK | 27,518 |
Dominimi i PDK-së në pesë vendet e para është i dukshëm. Përveç Hamzës, kjo parti ka parë një rritje të jashtëzakonshme të Arian Tahirit, i cili u rendit i treti në nivel kombëtar për opozitën me 71,699 vota. Ai ndiqet nga Përparim Gruda me 66,110 vota.
LDK-ja e thyen dominimin e PDK-së në pesëshën e parë me Hykmete Bajramin, e cila konfirmohet si gruaja më e votuar e opozitës me 57,153 vota. Megjithatë, PDK rikthehet menjëherë në listë me ish-ministrin Uran Ismaili, i cili mori 56,415 vota. Numër të madh votash mori edhe Ukë Rugova, i cili u rendit i shtati me 49,605 vota.
Në vendin e tetë renditet Sala Jashari, e cila arriti të grumbullojë plot 47,928 vota, e ndjekur nga Vlora Çitaku me 45,190 vota. Ndërkohë, ish-kryeministri i LDK-së, Avdullah Hoti, arriti të sigurojë 44,550 vota, duke mbetur një nga figurat më të votuara të partisë.
Pjesa e dytë e listës së top 20 kandidatëve nis me deputeten e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, e cila mori 44,110 vota. Në vendin e 12-të të top-njëzetëshes së opozitës renditet kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, me 43,997 vota. Pas tij vjen Kujtim Shala me 41,080 vota.
Lista vazhdon me figura me përvojë të gjatë politike. Enver Hoxhaj i PDK-së siguroi 39,725 vota, ndërsa ekonomisti Arben Mustafa ishte po ashtu befasia e PDK-së, duke marrë 39,368 vota. LDK përfaqësohet në këtë grup edhe nga Anton Quni, i cili mblodhi 31,899 vota.
Në fund të listës së 20 më të votuarve gjejmë emra të njohur si Nait Hasani i PDK-së, i cili mori 31,586 vota, i ndjekur nga Rrahman Rama me 28,847 vota. Lista përmbyllet me Armend Zemajn, i cili siguroi 28,803 vota, dhe deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila konfirmoi mandatin e saj me 27,518 vota.










