Irani, Rusia dhe Kina nisin manovra ushtarake në Afrikën e Jugut

Kina është vendi udhëheqës i stërvitjes “Will for Peace 2026”.

Irani, Rusia dhe Kina kanë nisur stërvitje të përbashkëta ushtarake detare në ujërat pranë bazës kryesore detare të Afrikës së Jugut, Simon’s Town, në një moment të tensionuar për marrëdhëniet ndërkombëtare.

Një anije luftarake ruse mbërriti të premten për t’iu bashkuar anijeve kineze dhe iraniane, përpara ceremonisë hapëse të manovrave që pritet të zhvillohen gjatë një jave.

Stërvitjet zhvillohen në një kontekst përplasjesh të forta me administratën amerikane dhe pas një operacioni të fundit të Washington-it në Venezuelë, duke bashkuar disa vende që kanë marrëdhënie të tensionuara me SHBA-të.

Kina është vendi udhëheqës i stërvitjes “Will for Peace 2026”, e cila përfshin forcat detare të vendeve të grupimit BRICS.

Autoritetet e Afrikës së Jugut kanë bërë të ditur se detajet e plota mbi anijet pjesëmarrëse do të konfirmohen zyrtarisht, ndërsa është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Sipas zëvendës ministrit të Mbrojtjes së Afrikës së Jugut, disa vende të tjera të BRICS, përfshirë Indonezinë, Etiopinë dhe Brazilin, do të marrin pjesë si vëzhgues.

Sipas forcave të armatosura të Afrikës së Jugut, stërvitjet synojnë shkëmbimin e praktikave më të mira dhe përmirësimin e aftësive të përbashkëta operacionale, me qëllim rritjen e sigurisë së rrugëve detare dhe stabilitetit rajonal.