35 të pandehur po mbahen në Qendrën e Paraburgimit edhe pas skadimit të afatit 48-orësh

Avokati Driton Muharremi ka reaguar sot lidhur me mbajtjen e 35 të pandehurve në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, për të cilët Prokuroria Themelore në Prizren kishte propozuar masa alternative.

Muharremi ka deklaruar se Gjykata në Prizren të premten mbrëma ka vendosur që këta 35 të pandehur të dërgohen në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, ndonëse ndaj tyre ishte propozuar masa e paraqitjes në stacion policor dhe ndalimi i afrimit me objektin e Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS) dhe mes të pandehurve.

Sipas tij, në mesin e këtyre të pandehurve ndodhen edhe një grua shtatzënë në muajin e shtatë, si dhe një e pandehur që është në trajtim onkologjik.

Në reagimin e tij, Muharremi ka thënë se këta persona po mbahen në Qendrën e Paraburgimit edhe pas skadimit të afatit 48-orësh të ndalimit, duke shtuar se Qendra e Paraburgimit në Lipjan, sipas tij, po pret një vendim nga gjyqtari për lirimin e tyre.

“Përveç që gjykata ne Prizren dje kunderligjshem vendosi ti kthej ne Qendren e Paraburgimit ne Lipjan 35 te pandehurit ( mesin e tyre nje grua shtatezene ne muajin e 7 dhe nje me trajtim onkologjik) per te cilet Prokuroria e Prizrenit kishte propozuar masen e Paraqitjes ne Stacion Policor dhe ndalimi per tiu afruar objektit te BSK dhe te pandehurve mes veti, tani kunderligjshem po i mban edhe pas skadimit te afatit prej 48 oreve te ndalimit!”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka theksuar se, sipas qëndrimit të mbrojtjes, këta të pandehur duhet të lirohen menjëherë, pasi nuk ka më bazë për vazhdimin e mbajtjes së tyre.

Një ditë më parë, avokati Driton Muharremi kishte deklaruar se, ndonëse Gjykata kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë për masa alternative ndaj 35 të pandehurve, gjyqtari kishte vendosur që ata të dërgohen dhe të mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan, çka ishte kundërshtuar nga mbrojtja gjatë seancës.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar sot se Prokuroria Themelore në Prizren ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj ish-drejtorit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), Sami Mazrekut, dhe ish-drejtorit të Departamentit të Financave dhe Kontabilitetit, Valon Berisha, si dhe Florent Sylejmanit e Yll Çollakut. Kurse ndaj 35 të tjerëve ka kërkuar masën e paraqitjes në Polici.

Mazreku dhe Berisha bashkë me të dyshuarit tjerë u arrestuan mëngjesin e 8 janarit në një aksion të Prokurorisë Themelore të Prizrenit që ishte udhëhequr nga kryeprokurori Petrit Kryeziu. Dëmi pretendohet të jetë mbi 1 milion euro.

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) kishte njoftuar se se rasti i cili po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar.

Ish-drejtori i Financave në Byronë Kosovare të Sigurimit, Valon Berisha, dyshohet të ketë përfituar kundërligjshëm para nga qytetarë të cilët ishin rimbursuar në emër të sigurimeve me shuma dhjetëra mijë euro.

Sipas kërkesës së Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, mes të dyshuarve kryesorë janë Sami Mazreku dhe Valon Berisha, të cilët gjatë periudhës 22 korrik 2022 – 9 tetor 2023, në pozitat drejtuese në BKS, dyshohen se kanë kryer një sërë transaksionesh bankare të paautorizuara, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme. Transaksionet e dyshuara përfshijnë shumën prej 4,641 euro deri mbi 8,500 euro për kompensim të supozuar të dëmeve nga aksidentet e trafikut për persona që paraprakisht kishin marrë kompensim, duke shkaktuar kështu dëm të drejtpërdrejtë për BKS-në.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, ka bërë të ditur se 39 persona janë arrestuar në aksionin për keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Ai në një konferencë për medie kishte deklaruar se dëmi vlerësohet të jetë 1 milion e 43 mijë euro, derisa shtoi se cak i hetimeve ishin edhe ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha, të cilët po ashtu janë në mesin e të arrestuarve, raporton “Betimi për Drejtësi“.