1, 2, 3: VV-ja nis sulmet ndaj gjyqtarëve të Kushtetueses, pasi ua rrëzuan 13 ligje

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar 12 ligje të miratuara në seancën e dhjetorit 2024.

Kushtetuesja ka konstatuar se procedura e ndjekur, nuk ka qenë e rregullt.

Në mesin e ligjeve të rrëzuara ishte edhe Byroja për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Me të shpallur vendimin, Vetëvendosje u vu në aksion.

Fillimisht, U.D ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, akuzoi gjyqtarët e Kushtetueses për vonesa.

“Pas 1 viti e 28 ditësh pranuam aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjykata pas shkeljes së afateve ligjore, konstatoi se ka shkelje procedurale të miratimit të projektligjit përkatës në Kuvend, andaj serish duhet t’i kthehet Kuvendit për miratim. Është joligjore, joprofesionale dhe joetike, që një ligj kaq me rëndësi për luftimin e krimit dhe korrupsionit të zyrtarëve publik të mbahet në sirtarët e Gjykatës me shumë se një vit vetëm për çështje procedurale! Vonesa të tilla, cenojnë kompetencat eksluzive kushtetuese të Qeverisë dhe Kuvendit në miratimin e ligjeve”, ka shkruar Sallahu.

Kurse, Dejona Mihali, ‘komisarja’ e VV-së, ka akuzuar gjyqtarët se janë të varur nga partitë në opozitë, që nuk po marrin vota në popull.

“1 vit e 1 muaj i mbajti të ngujuara dhjetra ligje të seancës plenare të 5 dhjetorit 2024 Gjykata Kushtetuese. Afati që duhej të përgjigjej ishte maksimumi 3 muaj. Ama priti 4 palë zgjedhje dhe të gjitha numërimet e votave. Sot vendosi të na informojë se seanca plenare e thirrur sipas rregullave të Rregullores së Kuvendit na qenkërka joprocedurale. Nuk dihet prej kur Kushtetuesja merret me rregulloret dhe procedurat e seancave teksa shumica voton e vendos se si mbahen ato. Por çka dihet është se 5 anëtarët aktivizohen kur atyre që i kanë jashtë nuk iu ec vota në popull”, ka shkruar Mihali.

Eugen Cakolli nga KDI-ja, ka treguar se Gjykata Kushtetuese i ka rrëzuar të gjitha ligjet, pasi pati shkelje procedurale.

Sipas Cakollit, Gjykata nuk e trajtoi fare përmbajtjen.

“Megjithatë, duhet theksuar që ASNJË nga këto ligje nuk u rrëzua për shkak të përmbajtjes. Gjykata nuk u mor fare me substancën e tyre. Ato u rrëzuan për shkak të shkeljeve procedurale, sepse mënyra e miratimit kishte cenuar vetë thelbin e funksionimit parlamentar. Për disa prej vendimeve, komisionet parlamentare ishin obliguar të shqyrtojnë projektligje, amendamente dhe raporte brenda 5 deri në 20 minutash. Për disa të tjera, materialet për shqyrtim u ishin shpërndarë deputetëve pas kohës kur seanca ishte paraparë të fillonte. Konkretisht, në rastin e Ligjit për Byronë, dokumentet u dërguan rreth 21 minuta pas orarit zyrtar të fillimit të seancës. Normalisht, me këso afate, shqyrtimi real parlamentar është i pamundur. Deputetët nuk kanë kohë reale për lexim, debat apo vlerësim dhe roli i tyre reduktohet në votim formal. Në këtë kontekst, një vit me përqindje rekord ligjesh të miratuara nuk është tregues suksesi, nëse ky rezultat arrihet duke anashkaluar procedurat e rregullta parlamentare”, ka shkruar Cakolli.