Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka aprovuar ankesën e një zyrtareje të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke e shpallur të pabazuar masën disiplinore “Vërejtje me shkrim” që i ishte shqiptuar asaj nga Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, shkruan Demokracia.com.
Sipas vendimit të datës 18 dhjetor 2025, Kolegji për Shqyrtimin dhe Vendosjen e Ankesave ka konstatuar se masa disiplinore nuk është mbështetur në një vërtetim të plotë dhe të saktë të gjendjes faktike, si dhe është shoqëruar me kundërthënie në arsyetimin e institucionit.
Këshilli ka vlerësuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk ka ofruar prova konkrete që dëshmojnë se ankuesja ka dështuar në përmbushjen e detyrave të saj, veçanërisht për periudhën që i atribuohet shkelja disiplinore. Po ashtu, është konstatuar se në kohën kur pretendohet se ka ndodhur shkelja, zyrtarja ka qenë në pushim vjetor të aprovuar, çka e përjashton atë nga përgjegjësia disiplinore.
Në vendim theksohet gjithashtu se ekzistojnë mospërputhje mes aktit disiplinor dhe përgjigjes së dhënë nga ministria gjatë procedurës ankimore, sa i përket kohës dhe arsyes së shqiptimit të masës.
Si rrjedhojë, Këshilli ka anuluar “Vërejtjen me shkrim” dhe e ka kthyer çështjen në rishqyrtim te i njëjti organ, duke e obliguar që në procedurë të re të marrë parasysh pikëpamjet juridike të dhëna në arsyetimin e vendimit. MPJD-ja është obliguar që brenda 15 ditësh të njoftojë me shkrim Këshillin për veprimet e ndërmarra. /Demokracia.com/










