Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot çmime për pesë sportistë dhe tre trajnerë.
Ministri Kujtim Gashi, tha se është fat i mirë që si ministri kanë arritur të rrisin buxhetin për sportistët për 120 përqind.
Sipas tij, janë pikërisht karatistët, xhudistët që i kanë sjellur Kosovës suksese. Ai i inkurajoi sportistët që të vazhdojnë punën e tyre dhe të korrin suksese edhe të mëtutjeshme, teksa shtoi se gjatë kësaj kohe ka pasur vetëm një ngecje, me Qendrën Nacionale të Xhudos në Pejë, si neglizhencë e komunës së Pejës që nuk ka ndarë hapësirën për ndërtimin e objektit.
“Këtë vit ndajmë çmimet dhe ne jemi shumë të vetëdijshëm se puna dhe mundi juaj nuk shpaguhet me mjete financiare, megjithatë, është një motiv shtesë. Sportistët janë ambasadorët e vërtetë të Republikës të Kosovës”, tha ai.
Ndërsa trajneri Driton Kuka falënderoi ministrin Gashi për mbështetjen që po u jep sportistëve të vendit.
“Kam qenë protagonist i përmirësimit të kushteve për sportistët. Komunat nuk përkrahin as 5 përqind të sportistëve, krahasuar me mbështetjen që marrim nga niveli qendror. Komuna e Pejës, prej nga vjen një kampione e madhe, nuk ka bërë asgjë për Qendrën Nacionale të Xhudos”, u shpreh ai.
Emrat e të shpërblyerve:
Isak Curri- trajner i karatistes Albulena Gërvalla
Muhamet Rexhepi – trajner i sportistit Molos Gashi
Driton Kuka – trajner
Akil Gjakova-sportist i xhudos
Lorianari Kuka
Ereza Muminoviq