Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) ka njoftuar se situata e vërshimeve në nivel vendi paraqitet kryesisht e qetë, stabile dhe e menaxhueshme, pas ndërprerjes së reshjeve intensive të shiut dhe kalimit gradual në reshje bore.
Sipas të dhënave të fundit të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe strukturat e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit në terren, niveli i ujit në lumenj ka filluar të bie dhe në shumicën e rajoneve nuk është raportuar nevoja për ndërhyrje emergjente.
AME bën të ditur se në Rajonin e Prishtinës gjendja është e qetë dhe stabile, pa nevojë për intervenime, ndërsa monitorimi vazhdon.
‘Në Rajonin e Prizrenit nuk janë raportuar thirrje emergjente apo intervenime, dhe rrugët mbeten të kalueshme, megjithëse rekomandohet kujdes i shtuar në zonat malore për shkak të ngricave”.
“Në Rajonin e Mitrovicës situata është më e qetë, pa rrezik për vërshime të reja, ndërkohë që ekipet vazhdojnë të ofrojnë mbështetje për personat e evakuuar më herët. Në Rajonin e Pejës, gjendja është stabile në të gjitha komunat, me përjashtim të rrugës Junik–Jasiq, e cila vazhdon të jetë e bllokuar për shkak të shembjes së dheut”.
“Edhe në Rajonin e Gjakovës është shënuar rënie e nivelit të ujit në lumenj dhe situata vlerësohet si e menaxhueshme, megjithëse ka bllokime lokale rrugësh për shkak të shembjeve të dheut. Ndërkaq, në Rajonin e Gjilanit nuk janë raportuar vërshime dhe gjendja është e qetë në të gjitha komunat”.
AME ka bërë thirrje për kujdes të shtuar në qarkullimin rrugor, pasi reshjet e borës kanë shkaktuar vështirësi në disa zona, veçanërisht në rrugët malore dhe ato dytësore.
Në fund të njoftimit, AME ka falënderuar zjarrfikësit-shpëtues për angazhimin dhe heroizmin në operacionet e shpëtimit, si dhe Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës, kryetarët e komunave dhe drejtoritë për mobilizimin e hershëm dhe koordinimin me Agjencinë, Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, nën drejtimin e ministrit Xhelal Sveçla, në menaxhimin e situatës së krijuar nga reshjet e ditëve të fundit.










