Opozita ia kalon buxhetin 2026 kryetarit Alban Hyseni

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka siguruar votat e opozitës për miratimin e buxhetit të vitit 2026. Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal, buxheti u miratua me 33 vota për, duke dëshmuar se opozita ia ka kaluar buxhetin kryetarit të komunës.

Vetë Hyseni ka bërë të ditur se gjatë shqyrtimit të buxhetit janë pranuar dhe përfshirë rreth 10 kërkesa të ardhura nga opozita, duke e cilësuar procesin si bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës.

Buxheti i miratuar kap vlerën prej 42 milionë eurosh, që sipas tij është më i larti ndonjëherë në historinë e Komunës së Gjilanit dhe synon realizimin e projekteve zhvillimore dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Sot, në seancën e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, u miratua buxheti për vitin 2026 me 33 vota për.

Falënderoj të gjitha subjektet politike dhe përfaqësuesit e tyre në Kuvendin Komunal të Gjilanit për përgjegjësinë institucionale dhe bashkëpunimin në këtë proces të rëndësishëm për qytetin tonë.
Gjatë shqyrtimit të buxhetit, janë pranuar dhe përfshirë rreth 10 kërkesa të ardhura nga opozita, duke dëshmuar qasje bashkëpunuese dhe vendimmarrje gjithëpërfshirëse.
Buxheti në vlerë prej 42 milionë euro, më i larti ndonjëherë në historinë e Komunës së Gjilanit, krijon bazë të fuqishme për realizimin e projekteve zhvillimore.
Mbetemi të përkushtuar që ky buxhet të kthehet në investime konkrete dhe shërbime më të mira për çdo qytetar të Gjilani”, ka shkruar Hyseni. /Demokracia.com/