Sindikata e Policisë thotë se s’janë kryer pagesat e dhjetorit për familjet e policëve të rënë

Sindikata e Policisë së Kosovës ka njoftuar se nuk është kryer pagesa e dhjetorit për familjet e policëve të rënë gjatë detyrës.

Sindikata ka sqaruar se Drejtoria e Financave ka bërë kërkesën, por mjetet nuk janë ekzekutuar ende.

“Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 euro, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, thuhet në komunikatën e sindikatës.

Sindikata e ka quajtur këtë situatë të papranueshme dhe të dhimbshme për familjet e policëve të rënë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve përgjegjëse, në veçanti Ministrisë së Financave, që sa më parë të gjejnë zgjidhje dhe të realizojnë pagesat e mbetura, në mënyrë që të mos cenohet dinjiteti dhe mirëqenia e këtyre familjeve”, thuhet tutje.