Presidenti palestinez: Nuk e pranojmë ndarjen e Gazës

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas deklaroi se ata refuzojnë ndarjen e Gazës dhe se Izraeli nuk ka legjitimitet në asnjë pjesë të Gazës.

Duke folur në hapjen e sesionit të 13-të të Këshillit Revolucionar të Lëvizjes Fatah, Abbas tha se shteti palestinez është entitet i vetëm dhe i pandashëm gjeografik dhe politik që përfshin Gazën, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.

Ai tha se prioritetet e tyre janë ta bëjnë armëpushimin në Gaza të përhershëm dhe të sigurojnë hyrjen e menjëhershme të ndihmës humanitare.

“Faza e dytë e planit të presidentit të SHBA-së Donald Trump duhet të zbatohet në Rripin e Gazës. Kjo parashikon tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza, dorëzimin e pushtetit nga Hamasi dhe krijimin e një komiteti administrativ kalimtar nën qeverinë palestineze”, theksoi Abbas.

Ai shtoi se procesi në fjalë synon rindërtimin pa “zhvendosje të detyruar” dhe fillimin e një procesi politik të bazuar në legjitimitetin ndërkombëtar dhe Iniciativën Arabe për Paqen.

“Ky vit do të jetë viti i demokracisë palestineze”, tha Abbas duke shtuar se zgjedhjet lokale do të mbahen në prill dhe se kongresi i 8-të i Fatahut dhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Palestinez janë planifikuar për këtë vit.

Abbas tha se zgjedhjet e përgjithshme do të mbahen njëkohësisht në Gaza, Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor kur të krijohen kushtet e përshtatshme.

Ai potencoi se veprimet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor janë po aq të rrezikshme sa ato në Gaza dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë presion mbi Izraelin. /AA/