Venezuela fillon lirimin e të burgosurve politik

Qeveria e Venezuelës ka filluar lirimin e të paraburgosurve që konsiderohen të burgosur politikë nga grupet e të drejtave të njeriut, në atë që zyrtarët e përshkruan si një gjest të vullnetit të mirë.

Ministria e jashtme e Spanjës tha se pesë nga shtetasit e saj ishin liruar. Midis tyre është aktivistja e shquar e të drejtave të njeriut venezuelano-spanjolle, Rocio San Miguel, konfirmoi familja e saj.

Ky veprim vjen pasi SHBA arrestoi presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, në një bastisje të rrufeshme në kryeqytetin, Caracas, për t’u përballur me akuzat për trafik droge në New York.

Lirimi i të burgosurve politikë në Venezuelë ka qenë një kërkesë e vazhdueshme e SHBA-së, veçanërisht gjatë momenteve të represionit të shtuar rreth zgjedhjeve ose protestave.

Jorge Rodriguez, kreu i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës dhe vëllai i presidentes së përkohshme Delcy Rodriguez, njoftoi se “një numër i konsiderueshëm” do të lirohej menjëherë, pa specifikuar numrin ose identitetin e të burgosurve që do të liroheshin.

Bëhet e ditur se qindra të burgosur politikë mbahen të ndaluar në burgjet e Venezuelës, dhe vetëm një grusht prej tyre mendohet se janë liruar deri më tani.

Jorge Rodriguez tha se qeveria e përkohshme po i lironte ata në interes të “unitetit kombëtar dhe bashkëjetesës paqësore”.

Opozita dhe grupet e të drejtave të njeriut në Venezuelë kanë thënë për vite me radhë se qeveria ka përdorur arrestimet për të shtypur disidentët dhe për të heshtur kritikët.

Që nga zgjedhjet e vitit 2024, të cilat u kontestuan gjerësisht, opozita pretendoi se janë rritur procedurat ligjore kundër aktivistëve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë.