Komuna nuk hedh kripë në shumë rrugë, “Pastrimi” i bllokuar nga akulli në disa lagje të Prishtinës

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka njoftuar se nuk po arrin të kryejë shërbimet e grumbullimit të mbeturinave në disa rrugë dhe rrugica të kryeqytetit, për shkak të pranisë së madhe të akullit dhe mungesës së mirëmbajtjes së tyre nga institucionet përgjegjëse.

Sipas njoftimit zyrtar, kamionët e kompanisë po e kanë të pamundur të hyjnë në shumë rrugica të lagjeve të ndryshme, pasi rrugët janë të mbuluara me akull dhe nuk janë kriposur.

“Ju njoftojmë se në disa rrugë të kryeqytetit nuk po mund të kryejmë shërbimin si duhet për shkak të rrugëve që janë me shumë akull. Kamionët tanë po e kanë të pamundur të hyjnë nëpër rrugica të shumë lagjeve”, thuhet në njoftimin e ‘Pastrimit’.

Nga kjo kompani kërkohet mirëkuptim nga qytetarët, ndërsa njëkohësisht u bëhet thirrje institucioneve përkatëse që të ndërhyjnë dhe të mirëmbajnë siç duhet rrugicat, në mënyrë që shërbimet bazike të mos ndërpriten.

“Ne po bëjmë të pamundurën për të kryer shërbimin, por lusim institucionet përkatëse që të mirëmbajnë sa duhet rrugicat”, thuhet më tej në njoftim, duke shtuar se shërbimi do të tentohet të kryhet vazhdimisht sapo kushtet ta lejojnë. /Demokracia.com/