Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar numërimin e të gjitha votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Mbrëmë është përmbyllur edhe numërimi i votave të fundit me postë. Numërimi i këtyre fletëvotimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Sipas rezultateve të përmbledhura, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.11 për qind, apo 486,994 vota. Në këtë mënyrë, Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 22 ulëse. Ajo mori 20.19 për qind të votave, duke siguruar 22 ulëse në Kuvend. Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 15 ulëse nga 20 sa kishte. Ajo mori 13.23 për qind të votave.
Në Kuvend gjashtë ulëse i ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.5 për qind.
Lista Serbe me 9 ulëse dhe Za Zlobodu Pravdu i Opstanak me një ulëse përmbushin normën prej 10 ulëseve të rezervuara për komunitetin serb.
10 ulëset për komunitetet tjera janë siguruar nga Kosova Demokratik Turk Partisi me dy ulëse dhe Vakat, Nova Demokratska Stranka, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, PSA, Jedinstvena Goranska Partija dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës me nga një ulëse.
Me përmbylljen e këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka thënë është i gatshëm të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.
Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, subjektet politike kanë të drejtë të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) brenda 48 orëve nga momenti i ndodhjes së shkeljes së supozuar që lidhet me administrimin e numërimit në QNR.
Përfundon numërimi i të gjithave votave, KQZ e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar










