Skënderaj e Rahoveci tashmë kanë nisur regjistrimin e dëmeve nga vërshimet.
Në faqet zyrtare, të dy komunat kanë ftuar qytetarët që të aplikojnë për kompensimin e dëmve, duke bashkëngjitur dëshmi, e të dhëna të tjera identifikuese.
“Të gjithë qytetarët e prekur ftohen që brenda afatit të përcaktuar të paraqesin kërkesën e tyre pranë Komisionit Komunal për Vlerësimin e Dëmeve”, tha komuna në njoftim. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim: 1. Të dhënat personale të aplikuesit (emri, mbiemri, numri personal, adresa dhe numri kontaktues); 2. Kopje e letërnjoftimit; 3. Konfirmimi bankar (llogaria bankare në emër të aplikuesit); 4. Fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, të realizuara nga vendi i dëmtuar; 5. Çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar (nëse ka). Afati për aplikim: Afati për dorëzimin e kërkesave është 8 (tetë) ditë pune nga data e publikimit të këtij njoftimi”, thuhet në njoftimin e komunës së Skënderajt.
Kurse, ajo e Rahovecit ka bërë të ditur se presin aplikimet deri më 14 janar.
Regjistrimi i dëmve vjen pak orë pas qetësimit të situatës nga reshjet e shiut, që u ndalën për të vazhduar me bore.
Në anën tjetër, edhe komuna e Malishevës e ka ndërprerë gjendjen emergjente.
Ky vendim është marrë sot, pas mbledhjes së Shtabit Emergjent dhe vlerësimit të situatës në terren. Sipas të dhënave zyrtare, niveli i ujërave ka rënë dhe gjendja aktuale është stabile.
Gjatë kësaj mbledhjeje, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, së bashku me anëtarët e Shtabit Emergjent, ka theksuar se situata ka qenë emergjente dhe është përcjellë me dëme të mëdha, veçanërisht në infrastrukturë, ekonomi familjare, biznese dhe prona private.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent gjatë ditës ka bërë të ditur se nuk ka rrezik për vërshime të menjëhershme.
“Sipas të dhënave të pranuara nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësive operative në terren, situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës. Niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bie dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja”, thuhet në njoftim.
Tash, komunat e institucionet e tjera kanë bërë apel te qytetarët për kujdes si pasojë e reshjeve të borës dhe ngricave.
“Ashtu siç kemi paralajmëruar edhe mbrëmë, për shkak të kontrastit të temperaturave, rrugët tona janë të mbuluara me ngrica. Gjatë gjithë natës kemi intervenuar në shumicën e rrugëve që janë në kompetencë të ministrisë. Edhe sot në mëngjes kemi vazhduar punën në pastrimin e rrugëve dhe hedhjen e kripës. Aktualisht, të gjitha rrugët janë të kalueshme, por kërkohet kujdes i shtuar gjatë qarkullimit. Ju lutemi t’i përshtateni kushteve të rrugës”, ka shkruar Hysen Durmishi.
Në anën tjetër, komuna e Prishtinës paralajmëroi se mund të ketë reshje të tjera, çka mund ta vështirësojnë situatën.
“Gjatë ditëve në vijim pritet përkeqësim i kushteve atmosferike, me temperatura të ulëta, ngrica dhe reshje bore. Ju lutemi për kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Rekomandohet: të kufizoni lëvizjet vetëm në raste të domosdoshme, të përdorni pajisjet e detyrueshme të dimrit, të shmangni shpejtësinë e lartë dhe të respektoni sinjalistikën në terren. Transporti Publik Urban Si pasojë e kushteve atmosferike, mund të ketë vonesa në disa linja. Në zonat ku vlerësohet rrezik për qarkullim të sigurt, transporti publik do të pezullohet përkohësisht deri në normalizimin e kushteve; për çdo rast të tillë, qytetarët do të njoftohen me kohë”, thuhet në reagim.










