Nga deklaratat përmbyllëse te aktgjykimi: Çfarë pritet në Speciale gjatë 2026-së?
Viti 2026 pritet të jetë vendimtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë këtij viti, Gjykata Speciale pritet të përfundojë procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, duke shpallur vendimin për akuzat që rëndojnë mbi ta.
Sipas vendimit të trupit gjykues, periudha e planifikuar për deklaratat përmbyllëse është nga 9 deri më 13 shkurt të 2026-së. Ndërkohë, më 2 dhjetor të 2025-së ka përfunduar zyrtarisht paraqitja e provave nga ana e mbrojtjes.
Bazuar në rregullat e gjykatës, aktgjykimi duhet të shqiptohet brenda 90 ditësh pas mbylljes së çështjes gjyqësore. Rrjedhimisht, vendimi pritet të shpallet në prill ose maj, ndërsa në rast të zgjatjes së afatit, ai mund të publikohet edhe më vonë.
Ndërkohë, më 2 janar, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga DShK-ja që çështja e tij për pengim të administrimit të drejtësisë të ndahet nga rasti kryesor, në të cilin ai dhe ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime lufte.
Ai ka kërkuar gjithashtu shtyrjen e këtij gjykimi, me qëllim shmangien e zhvillimit të dy proceseve gjyqësore njëkohësisht. Sipas mbrojtjes së Thaçit, zhvillimi paralel i dy proceseve do të përbënte një barrë të rëndë për të, duke penguar pjesëmarrjen efektive në gjykim dhe përfaqësimin e duhur ligjor.
Në të njëjtën ditë, Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara ia refuzoi Jakup Krasniqit kërkesën për lirim me kusht.
Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm në paraqitjet e tyre fillestare.










