Kryeministrja daneze i kërkon Trump të ndalë “kërcënimet” ndaj Groenlandës

Trump ka ngritur vazhdimisht idenë që Groenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të “ndalë kërcënimet” lidhur me marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara “nuk kanë asnjë të drejtë të aneksojnë asnjë nga tre kombet që përbëjnë Mbretërinë Daneze”.

“Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për nevojën që SHBA-të të marrin Groenlandën”, deklaroi Frederiksen, në një reagim të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë daneze, duke shtuar se po i drejtohej Washingtonit “shumë drejtpërdrejt”.

Reagimi vjen pasi Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller – një nga këshilltarët e afërt të Trump – publikoi në media sociale një hartë të Groenlandës të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me fjalën “SOON” (SË SHPEJTI).

Trump ka ngritur vazhdimisht idenë që Groenlanda të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara, duke përmendur pozicionin e saj strategjik në Arktik dhe pasuritë minerare. Ai i përsëriti këto pretendime edhe pas deklaratave të Frederiksen.

Në qëndrimin e saj, kryeministrja daneze theksoi se Danimarka – dhe rrjedhimisht Groenlanda – është anëtare e NATO-s dhe mbulohet nga garancia e sigurisë së aleancës. Ajo kujtoi gjithashtu se Danimarka ka tashmë një marrëveshje mbrojtjeje me SHBA-të, e cila i garanton Washingtonit akses në Groenlandë, si dhe ka rritur investimet në sigurinë e rajonit të Arktikut.

“Do t’i bëja thirrje të fortë Shteteve të Bashkuara të ndalojnë kërcënimet ndaj një aleati historikisht shumë të afërt dhe ndaj një vendi dhe një populli tjetër, të cilët e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë në shitje”, tha Frederiksen.

Megjithatë, disa orë më vonë, Trump e përsëriti synimin gjatë një deklarate në bordin e Air Force One. “Na duhet Groenlanda nga pikëpamja e sigurisë kombëtare dhe Danimarka nuk do të jetë në gjendje ta bëjë këtë”, u shpreh ai.

Më herët, ambasadori danez në SHBA reagoi ndaj postimit të Katie Miller me një “kujtesë miqësore” se Danimarka dhe SHBA janë aleate dhe se Copenhagen-i pret respektim të integritetit territorial të saj.

Përplasja diplomatike vjen në një çast tensionesh të shtuara ndërkombëtare, vetëm pak ditë pas operacionit ushtarak amerikan në Venezuelë. Trump ka refuzuar më herët të përjashtojë përdorimin e forcës për të siguruar kontrollin e Groenlandës, duke argumentuar se ishulli ka rëndësi jetike për interesat strategjike të SHBA-ve.

Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që prej vitit 1979, megjithëse politika e jashtme dhe mbrojtja mbeten kompetencë e Danimarkës. Ndërsa shumica e groenlandezëve mbështesin pavarësinë e ardhshme nga Danimarka, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj idesë së bashkimit me Shtetet e Bashkuara.