Armando Broja, 24-vjeçari shqiptar mbërriti në “GawThorpe” gjatë verës me mungesë të theksuar të formës fizike, pasi te Chelsea nuk kishte pasur praktikisht asnjë parasezon ku të mbështetej. Sulmuesi ka kaluar gjithashtu disa vite të vështira sa iu përket dëmtimeve, çka ka bërë që koha e konsiderueshme në fushë të jetë e vështirë për t’u siguruar.
Megjithatë, shqiptari ka arritur gradualisht të fitojë një vend në formacionin titullar të Burnley, duke u aktivizuar nga minuta e parë në dy ndeshje radhazi dhe dukur shumë më i mprehtë. Ai shënoi edhe golin e parë me fanellën e “Clarets” në barazimin 1-1 ndaj Bournemouth. Përpara përballjes ndaj Brighton, Broja foli për gjendjen e tij fizike, sezonin e Burnley deri tani dhe përjetimet e të qenurit pjesë e famëkeqes “bomb squad” te Chelsea:
“Sigurisht që është jashtëzakonisht e vështirë, sidomos kur luan në Premier League. Për mua është liga më e fortë në botë dhe shumë profesionistë të tjerë do të thoshin të njëjtën gjë. Kur gjërat nuk shkojnë mirë, kur humb ndeshje, ajo që ne bëjmë është të kapemi pas anëve pozitive. Mendoj se po luajmë ende futboll shumë të mirë dhe po krijojmë shumë raste.
Rezultatet nuk janë në favorin tonë dhe padyshim ka dy mënyra si mund ta përballosh këtë situatë. Mund të shohësh anët pozitive dhe të përpiqesh të ecësh përpara, ose mund të marrësh drejtimin tjetër dhe të demoralizohesh e të biesh psikologjikisht.
Si skuadër, trajneri na ka ndërtuar atë karakter ku, pavarësisht se çfarë ndodh, ne vazhdojmë të luftojmë, vazhdojmë të përpiqemi të luajmë stilin tonë të futbollit, vazhdojmë të përpiqemi të fitojmë, të futemi në ndeshje, të luajmë në mënyrën tonë, të luftojmë dhe të dalim me një rezultat të mirë. Kjo është ajo që kemi tentuar të bëjmë.

Sigurisht, ka disa elemente ku mund të përmirësohemi dhe t’i rregullojmë më mirë, pa dyshim. Sidoqoftë, mendoj se në dy ndeshjet e fundit dhe gjatë javëve të fundit, kemi shkuar në drejtimin e duhur.
Pa dyshim, ua kam thënë edhe disa shokëve të skuadrës më parë: erdha këtu kur nuk isha në formën time më të mirë fizike dhe nuk isha në forcën time maksimale. Të gjithë brenda klubit e shihnin këtë. Nuk pata parasezonin më të mirë, kështu që për mua ishte mjaft e vështirë, duke marrë parasysh të gjitha situatat dhe gjërat që po ndodhnin.
Nuk ishte e lehtë, sepse si lojtar dëshiron ta ndihmosh skuadrën sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë jam dikush që dua të hyj menjëherë dhe të përpiqem ta ndihmoj ekipin, por në këtë rast nuk ndodhi kështu. Më duhej të prisja për mundësitë, çdo lojtar kalon nëpër këtë, por unë pata disa momente të vështira dhe periudha jo të mira.
Për mua ishte e rëndësishme të ndihmoja, por nuk munda. Megjithatë, javët e fundit kanë qenë padyshim pozitive. Duke pasur parasysh gjithçka që kam kaluar me të gjitha dëmtimet, huazimet dhe shumë momente negative, pa dyshim që është e vështirë për këdo, për çdo sportist profesionist, për çdo individ. Kam pasur shumë ditë të këqija, këtë mund ta them me siguri.
Por kisha njerëz të mirë rreth meje dhe u përpoqa të qëndroja i fokusuar. Burnley ishte një mundësi shumë e madhe për mua, për të vazhduar të luaja në Premier League në nivel të lartë, në ligën më të mirë në botë. Të vija këtu dhe të përpiqesha vërtet të provoja veten, të luftoja për mundësitë e mia, të merrja minuta, të luaja, të shënoja gola…, po përpiqem ta përqafoj çdo moment ku ndodhem.
Sigurisht që ka qenë e vështirë, ne e dimë këtë. Edhe unë vetë e di, por siç thashë, do të vazhdoj të luftoj, do të vazhdoj të përpiqem të bëj maksimumin për ta ndihmuar këtë skuadër sa më shumë të jetë e mundur. Është diçka shumë e madhe. Forca mendore është një nga gjërat më të rëndësishme në jetë. Jo vetëm në sport, por në jetë në përgjithësi. Duhet të kesh mentalitet të fortë për t’i kaluar momentet negative, sepse ato mund të të rëndojnë shumë mbi supe.

Kam kaluar shumë gjëra, ndaj mund t’i shpreh edhe këto. Nuk ishte aspak e bukur të kaloja dëmtime, t’i shihja shokët e skuadrës duke luajtur, ndërsa vetë nuk isha pjesë. Është stërmunduese të jesh larg futbollit për një kohë shumë, shumë të gjatë, të shkosh në huazim dhe të mos luash. Nuk është kurrë e lehtë.
Tani është një mundësi për mua ta shijoj atë që kam, të luaj në Premier League. Idealja do të ishte të renditeshim më lart, por kemi pasur shumë gjëra pozitive dhe po luajmë futboll shumë të mirë. Do ta mbajmë këtë nivel loje, duke rregulluar disa detaje të vogla, shpresojmë të fillojmë të marrim rezultatet që i meritojmë.
Kam humbur shumë futboll, diçka që asnjë lojtar nuk dëshiron ta humbasë. Ka qenë një kohë shumë, shumë e gjatë, mendoj rreth dy apo tri vite, që është shumë për një futbollist të ri. Dua t’u tregoj të gjithëve se çfarë mund të bëj, por gjëja më e rëndësishme është të ndihmoj ekipin. Dua ta ndihmoj Burnley sa më shumë të jetë e mundur dhe për këtë jam këtu. Jam këtu për të ndihmuar me gola, asistime, lojë të përgjithshme, duke qenë ai lojtar në fushë që i jep ekipit frymë të re”.
Mbi situatën e fundit që kaloi te Chelsea: “Sigurisht që ishte e vështirë. Klubi ishte në Kupën e Botës për Klube dhe kishte shumë zhurmë rreth kësaj ‘bomb squad’ dhe gjithçkaje që po ndodhte. Nuk ishte e lehtë.
Kishte disa lojtarë që ishin në një grup të vogël, por parasezoni është diçka shumë e rëndësishme për çdo klub, për çdo lojtar që të përgatitet për sezonin. Unë nuk e pata atë. U përpoqa të bëja edhe diçka vetë, por nuk është e njëjta gjë si të jesh pjesë e ekipit, të shtysh veten dhe të stërvitesh si skuadër, ndaj ishte mjaft e vështirë. Fola me trajnerin, ai më dha mundësinë të vija këtu dhe i jam shumë mirënjohës për këtë. Tani dua t’ia kthej klubit, tifozëve, edhe vetes, sepse sinqerisht mendoj se e meritoj”.

Frikë dëmtimi me Shqipërinë kundër Anglisë: “Fatmirësisht nuk ishte asgjë serioze, por ishte një moment frike. Duke u kthyer tek ana mendore e futbollit, kur ndodhin gjëra të vogla të tilla në fushë, ndonjëherë truri të thotë se është më keq nga sa është në të vërtetë.
Për mua ishte një nga ato momente ku fillimisht kisha shumë dhimbje dhe u përpoqa të ngrihesha, por nuk mund të ecja. Automatikisht truri të thotë: Jo, prapë kjo, ose se diçka e keqe ka ndodhur.
Ishte një moment frike, por më pas u qetësova shpejt dhe nuk ishte shumë keq. Isha mirënjohës që nuk ishte serioze dhe ndihem se po bëhem gjithnjë e më i fortë. Shpresoj të qëndroj larg dëmtimeve”.
The post Makthi i dëmtimeve, rikthimin në formë te Burnley dhe përvoja e “bomb squad” të Chelsea; rrëfehet në 360 gradë Broja appeared first on Telesport.










