Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave, përfshirë 12 persona fizikë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, si dhe pronarë e përfaqësues të disa kompanive private dhe tre persona juridikë, nën dyshimin për keqpërdorime të rënda në procedurat e prokurimit publik.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit kanë manipuluar proceset e tenderimit, duke lejuar pagesa për produkte me çmime deri në 1 mijë e 557 për qind më të larta se vlera reale e tregut. Si pasojë, buxheti i shtetit dyshohet se është dëmtuar për më shumë se 1.5 milion euro.
Prokuroria thekson se shkeljet janë kryer përmes hartimit të paqartë të specifikave teknike për artikujt e përfshirë në parmasë dhe parallogari, si dhe përmes vendosjes së kritereve selektive dhe të panevojshme që lidhen me angazhimin e ekspertëve, inxhinierëve dhe autorëve. Këto kritere, sipas PSRK-së, janë përdorur për të favorizuar kompani të caktuara, duke përjashtuar padrejtësisht operatorë të tjerë ekonomikë.
Një tjetër shkelje e evidentuar në aktakuzë lidhet me mosgarantimin e çmimit më të ulët të tregut, çka ka rezultuar në blerje me çmime të fryra artificialisht, në dëm të interesit publik.
Lidhur me këtë ka reaguar Valdrin Dervishaj, ish-këshilltar i ministres Arbërie Nagavci, i cili ka deklaruar se kjo e fundit do të duhej t’i shkarkonte nga detyra personat ndaj të cilëve është ngritur aktakuza.
“Tre ditë nga dita kur është ngritur aktakuza, ministrja e Arsimit ka heshtur. Ish-shefja ime, e cila pretendonte se i duheshin prova për ta larguar këtë person nga ministria, edhe pse në atë kohë ne konsideronim se ajo po i bllokonte proceset dhe ekzistonte dyshim i mjaftueshëm, i bazuar mirë, se kishte kryer korrupsion, megjithatë insistonte se duheshin prova shtesë.
Tani që provat ekzistojnë dhe Prokuroria ka ngritur aktakuzë për dyshim të mirëbazuar, ajo nuk ka marrë asnjë veprim deri më tani. Është shumë e tmerrshme të përfundojë karriera politike si ministre e Arsimit duke mbrojtur një person të akuzuar për korrupsion dhe duke e mbajtur në këtë pozitë, ndërkohë që më shumë se 80 për qind e stafit është larguar pikërisht për këtë arsye. Dhe ajo vazhdon të heshtë”, ka deklaruar ai.










