2025-ta vit i vështirë për fjalën e lirë, shënjestër e pushtetit ishin gazetarët

Edhe në vitin 2025, gazetaria në Kosovë u trajtua si problem dhe jo si shtyllë e demokracisë. Fjalët u shndërruan beteja në televizione, portale e posaçërisht në mediat sociale, ku pati sharje, fyerje, kanosje e ngacmime. Ky vit dëshmoi se liria e medias nuk u cenua rastësisht, por sistematikisht. Statistikat, gjykatat dhe reagimet e organizatave vendore e ndërkombëtare flasin qartë: 2025-a ishte një vit i vështirë për fjalën e lirë. Shënjestër e pushtetit ishin gazetarët.

Sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025, janë iniciuar 12 raste për kanosje dhe një rast ngacmim ndaj gazetarëve.

Për 9 raste, Policia thotë se ka dërguar kallëzime penale, 1 rast e ka dërguar me raport të veçantë dhe 2 raste vazhdojnë të jenë nën hetime.

“Betimi për Drejtësi”, iu ka shkruar të gjitha Prokurorive Themelore në Kosovë, se sa aktakuza kanë ngritur.

Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për periudhën janar-dhjetor 2025, kjo Prokurori, ka pranuar gjithsej 23 raste, më 27 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

“Gjatë kësaj periudhe, janë zgjidhur tetë (8) raste, që përfshijnë dhjetë (10) persona. Konkretisht, shtatë (7) raste, ndaj nëntë (9) personave janë zgjidhur me ngritje aktakuze, ndërsa një (1) rast ndaj një (1) personi është zgjidhur me raport për mbyllje të rastit”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Në fund të kësaj periudhe, në procedurë thuhet se kanë mbetur edhe shtatë raste që janë ende në trajtim.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Pejë, thuhet se në 2025 ka trajtuar dy raste ku viktima kanë qenë gazetarët dhe për njërin rast është ngritur aktakuzë për veprën penale “Sulmi”, e cila është deponuar në gjykatën kompetente brenda afatit optimal.

Një rast i ardhur si raport informues nga Policia e Kosovës, pas veprimeve të ndërmarra është mbyllur.

“Njëkohësisht ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Pejë, në tetor të këtij vitit ka mbajtur takim me përfaqësuesit e mediave dhe AGK-së, ku temë diskutimi ka qenë siguria e gazetarëve në kompetencën territoriale që mbulon prokuroria jonë”, ka thënë zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi.

Sipas tij, në këtë takim, ju është bërë thirrje të pranishmëve/përfaqësues të mediave, që në çdo rast kur ndihen të kërcënuar, të sulmuar apo të penguar në kryerjen e detyrave të tyre profesionale, të drejtohen pa hezitim tek Prokuroria Themelore në Pejë, duke iu ndarë edhe numrat kontaktuese të Prokurorisë, që në çdo rast kur gazetarët pengohen, sulmohen apo kërcënohen menjëherë të kontaktojnë prokurorinë.

“Takime të tilla nga Prokuroria Themelore në Pejë janë planifikuar të mbahen edhe gjatë vitit 2026, andaj, duke parë ndjeshmërinë e punës tuaj, mos hezitoni t’i përgjigjeni pozitivisht ftesave për sigurinë e punës tuaj nën juridiksionin e kompetencës territoriale që mbulon institucioni jonë”, thuhet tutje në përgjigjen e Nikçit.

Kurse, nga përgjigja e Prokurorisë së Gjakovës dhe asaj të Ferizajt, thuhet se gjatë këtij viti, nuk është evidentuar ndonjë rast i tillë.

Ndërsa, Prokuroritë tjera, ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), përgjatë vitit ka raportuar 69 herë për kërcënime, kanosje, pengim në punë, gjuhe denigruese, seksite e linçime ndaj gazetarëve.

Kurse, sipas raportit të Publikuar nga Lëvizja FOL “Raport mbi sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medieve (janar 2021-gusht 2025),  në vitin 2021, Policia e Kosovës kishte trajtuar 18 raste të veprat penale të kryera ndaj gazetarëve. Gjatë vitit 2022 ishin trajtuar 20 raste; gjatë vitit 2023 numri i rasteve të trajtuara ishte rritur në 33 sosh; ndërsa në periudhën janar-gusht 2025 janë trajtuar gjithsej 10 raste.

Sulmet online

Me të filluar vitin, kishte nisur një seri e sulmeve online kundër gazetarëve të “Betimi për Drejtësi”, Betim Musliu dhe Diellza Luzha.

Musliu dhe Luzha kishin ushtruar kallëzim penal ndaj tri faqeve online në media sociale për shkak të sulmeve denigruese, shpifese dhe ngacmimeve të vazhdueshme.

Këto sulme kanë ardhur pas publikimit të hulumtimit “Ikja e mjekëve nga orari i punës prej spitaleve publike“, i cili u publikua më 16 nëntor 2024 dhe që flet për mosrespektim të orarit të punës në spitale e klinika shtetërore.

Për këtë rast, kishte reaguar edhe AGK-ja. Por, ky rast nuk është i vetmi, pasi sulmet përmes komenteve dhe postimeve në mediat sociale ka pasur në vazhdimësi gjatë gjithë vitit nga qytetarë e akterë politikë.

Kërkim faljet para organeve të drejtësisë

Më 20 dhjetor 2025, Valton Hasani, ishte arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi kishte kanosur stafin e mediumit “Klan Kosova”.

Ai me një koment kishte etiketuar gazetarin Adriatik Kelmendi duke u shprehur me fjalët “Adriatik Kelmendi, nali ata langojt e tu me keto epitete se familjen jau q** komplet stafit prej rojtarit deri te shkëlqimi atje”.

Sipas raportimit të vetë mediumit, ky koment kishte ardhur pas raportimeve për dallaveret në konkursin e “Ibër-Lepencit”, duke iu referuar si sekserë Dejona Mihalit dhe ministres në detyrë, Artane Rizvanolli.

Përveç kësaj, i pandehuri thuhet se në vazhdimësi kishte postuar për Klan Kosovën, duke e quajtur “Klan Serbia”, etj.

Pas arrestimit, në seancën dëgjimore, ai ka kërkuar falje dhe ishte shprehur se nuk do të përsëris me asnjë veprim të tillë, pasi në afekt ka sharë dhe fyer.

“Dua të shtoj se jam 24/7 i gatshëm për t’u paraqitur në organet e rendit siç jam paraqitur për herë të parë në ora 16:30 pasi që jam kthyer nga Italia dhe po e pranoj sa kam sha e kam fyer, por kur e kam parë lajmin që më kanë quajtur sekser edhe në afekt kam sharë e kam fyer, mirëpo asnjëherë s’kam kërcënuar askënd. Kërkoj falje të dëmtuarit Adriatik Kelmendit dhe mediumin në të cilin ai punon, Klan Kosova, të cilët i kam bërë tag në statusin tim dhe nuk do të përsëritet asnjë veprim më”, kishte thënë ai.

Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit.

Aktakuza ndaj dy personave për kanosjen e kryetarit të AGK-së

Një koment në Facebook me thirrje për varje-“Duhet me i var në litar kta tradhtar të Serbisë”, u shndërrua në aktakuzë penale, duke e bërë këtë rast një nga shembujt më të rëndë të kërcënimeve ndaj gazetarëve gjatë vitit 2025. Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Fitim Selmanit dhe Blerim Haradinajt për veprën penale “Kanosja”, pas komenteve kërcënuese të drejtuara ndaj gazetarit dhe kryetarit të Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha. Kërcënimet, të bëra gjatë maj-qershor 2025, lidhen drejtpërdrejt me deklarimet publike të Rexhës për lirinë e mediave dhe, sipas tij, i kanë shkaktuar frikë, ankth dhe shqetësim serioz për sigurinë personale-duke dëshmuar se dhuna verbale online mbetet një rrezik real për gazetarët në Kosovë.

“Qeta njerëz me pas kush mi vra ish ish qliru Kosova, ky eshte kurd qe ka msu shqipen kqyrja likuren zez si derrit magjup i kurdistanit”, kështu sipas aktakuzës ishte shprehur i pandehuri Fitim Selmani nga profili i tij, në komente në rrjetin social në Facebook, duke i shkaktuar frikë dhe ankth të dëmtuarit Rexha.

Kurse, Blerim Haradinaj akuzohet se në të njëjtën periudhë kohore ka kanosur të dëmtuarin Rexha përmes profilit të tij në Facebook, ku i kishte shkruar koment me fjalët “duhet me i var në litar kta tardhtar të serbisë”.

Fjalët kërcënuese, Haradinaj, sipas aktakuzës i bëri kur i dëmtuari Rexha kishte dhënë një intervistë ‘online’ në rrejtin social Facebook, kështu me këto komente i ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe ankthit për jetë.

Dosjen e rastit, të raportuar ekskluzivisht nga “Betimi për Drejtësi”, e gjeni KËTU.

Ndryshe, gjykimi për këtë rast, nuk ka filluar ende në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kjo pasi në seancën e caktuar më 19 nëntor 2025 kishin munguar dy të akuzuarit. Kurse, seanca e 10 dhjetorit ishte shtyrë me kërkesë të vetë Rexhes, pasi ishte i angazhuar në ndarjen e çmimeve vjetore të AGK-së.

Gjykimi i rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve

Më 5 mijë euro gjobë, gjatë këtij viti është dënuar 62 vjeçari, pasi kishte kanosur gazetarin Vehbi Kajtazi.

Hysni Menxhiqi, nuk e kishte pranuar fajësinë se përmes rrjetit social Facebook e ka kanosur Kajtazin, duke e publikuar shkrimin “Vehbi Kajtazi apo vehbi taraku apo vehbi komandati un persanli jam ilodhur me ty. Vehbi tkanxan ne tuli far pozicioni ne prishtin tkam lirue patue qkye ftyra apatu qkye barku apo pate hi thesi ne krye Trathtar shërbyes I serrbis Teneqe pasha tok e qill ma nuk te lshoj pa eprovue se si duhet me vdek me vite te lutem po ti lutjen se njef ti je m** ti je f******* por semari familja jote dote bjen dëshmor tani per ty nuk me bahet von qdo kufi e ke kalue per qashtjen kombtare vdekja asht Mshir po historia kurr nuk ka shkrue se a ka njiri qe ban ksi masakre ne ty edhe ne familjepoplli edin ti kurr nuk ju ndale serrbis me informacione si ne luft si ne lir”.

Shpallja e aktgjykimit ishte bërë më 29 tetor 2025.

Në anën tjetër, më 2 mijë e 300 euro gjobë, ishte dënimi ndaj Fatmir Bajramit, pasi kishte pranuar fajësinë për kërcënimin e gazetarit Lirim Mehmetaj, përmes një komenti në rrjetin social Facebook.

Sipas raportimeve, ai në seancë ishte shprehur se nuk e njihte personalisht gazetarin Mehmetaj dhe se nuk ishte i vetëdijshëm që komenti i tij përbënte vepër penale, duke u shprehur i penduar për veprimet dhe ka kërkuar falje.

Në aktakuzë, thuhej se ai ishte drejtuar Mehmetaj me fjalët “Te kisha. Diege persegjalli servil i Serbisë. Se ti me gjithë Shefin. Tend. I shërbeni. Serbisë mike i Vuçiqit”.

Pas dënimit ndaj të akuzuarit, Mehmetaj kishte reaguar në Facebook duke thënë:

“Mos kërcënoni në Facebook se ndryshe prej Albin Kurtit, ju dënohuni… Gjykata Themelore në Prishtinë sapo e denoi për kërcënim një person që e pati bo njet me ma shti flaken midis sheshi. Normal, në gjykatë kërkoj falje e u pendu e tha që s’ka qenë mirë e që s’e përsërit kurrë e 100 qeso budallaqe”, kishte shkruar Mehmetaj.

Edhe me tutje në postimin e tij, ai ishte shprehur se fajtori i vërtetë ishe Kurti, për klimen e krijuar.

“S’ka diskutim, fajtori i vërtetë nuk është ky e as të tillët si ky, po kryehajvani Albin Kurti, bashkë me ata hajvanët e tjerë që secili gazetar që ua zbulon një hajni, ata i kthehen me ‘ti je argat i Serbisë’… Për çdo kërcënim nëpër internet, fajtor fillestar është kjo shpurë pushtetarësh që mision final e kanë shkatërrimin e shtetit e shoqërisë”, kishte thënë tutje ai.