Pamje tronditëse, shpërndahet video e zjarrit në resortin Crans-Montana

Një video shqetësuese nga brendësia e barit “Le Constellation” në resortin e njohur të skijimit Crans-Montana, në Zvicër, po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale, duke dokumentuar momentet e para të shpërthimit të zjarrit tragjik në natën e Vitit të Ri, përcjell albinfo.ch.

Pamjet tregojnë se fillimisht shumë prej të pranishmëve nuk e kuptuan seriozitetin e situatës. Ndërsa flakët nisën të përhapeshin, disa vizitorë vazhdonin të kërcenin dhe madje të filmonin, të pavetëdijshëm për rrezikun. Vetëm kur zjarri arriti në tavan dhe ambienti u mbush me tym të dendur, shpërtheu paniku – por për shumë prej tyre ishte tashmë tepër vonë.

Në video të tjera, të publikuara në rrjete sociale, shihen disa të rinj që përpiqen në mënyrë dëshpëruese të shuajnë flakët duke përdorur fanella, teksa zjarri përhapej nga kulmi i lokalit.

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar se si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën rreth 40 persona, ndërsa mbi 100 të tjerë janë lënduar, shumica prej tyre rëndë. Viktima e parë e identifikuar është Emanuele Galeppini, shtetas italian. Sipas autoriteteve, mes viktimave ka edhe turistë të huaj.

Zjarri shpërtheu rreth orës 01:30 të mëngjesit, në një nga baret më të frekuentuara të resortit, i cili renditet rregullisht ndër dhjetë vendpushimet më të mira të skijimit në Evropë. Crans-Montana ndodhet rreth 40 kilometra në veriperëndim të Zermatt-it.

Mëngjesi pas tragjedisë u karakterizua nga tronditja dhe trishtimi. E përditshmja zvicerane Blick ka cituar një mjek që ndërhyri në vendngjarje, i cili paralajmëroi se numri i viktimave ishte jashtëzakonisht i lartë, kryesisht për shkak të mungesës së daljeve emergjente. Sipas tij, e vetmja dalje nga bodrumi i barit ishte një shkallë e ngushtë dhe e pjerrët, e cila gjatë panikut u shndërrua në një kurth vdekjeprurës. /Albinfo.ch 

VIDEO

https://www.dailymail.co.uk/news/article-15428353/Moment-waitress-carried-colleague-holds-sparkler-air-deadly-blaze-rips-Swiss-nightclub-killing-47-footage-shows-young-hero-trying-flames-begin-spread.html