Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka nderuar figurën e Nexhat Dacit me homazhe pranë arkivolit të tij e më pas edhe me një fjalim në Kuvendin e Kosovës.
Kurti tha fjalë të mëdha për Dacin dhe rolin e tij në politikën kosovare, duke e lavdëruar se ishte figurë balancuese e jo polarizuese.
“Mesa duket nga profili i tij prej kimisti rridhte edhe edhe përllogaritja e tij deri në doza të vogla të secilës fjalë dhe secilit veprim në publik për çka është fiksuar në kujtesën kolektive të qytetarëve të vendit tonë. Si politikan, Nexhat Daci ka ditur ta luajë rolin e një figure balancuese mes poleve dhe në skenën politike të Kosovës para dhe pak vite pas pavarësisë ishte e kundërta e polarizimit në skenë”.
Por, jo gjithmonë Kurti ka pasë qëndrime të tilla për Dacin.
Vite më parë kur Daci ishte aktiv në skenën e politikës, Kurti bashkë me aktivistët e tij e donte atë “të kapte” atë “të gjallë apo të vdekur” krahas politikanëve të tjerë të Ekipit të Unitetit, për të cilët Vetëvendosje thoshte se po e tregtonin me Serbinë vullnetin e qytetarëve.
“Këta gjashtë persona po e tregtojnë me Serbinë vullnetin e 2 milionë qytetarëve, pa i pyetur ata. Janë pajtuar me kompromisin dhe vendin tonë do ta katandisin në një varësi e robëri të re”, shkruante në këtë poster.
Posterët e tillë lidhen kryesisht me Perëndimin e Egër amerikan në shekullin XIX (rreth viteve 1850–1900) kur u përdoreshin nga sherifët lokalë apo autoritete tjera./Express/











