Nis numërimi i votave nga 29 përfaqësitë diplomatike

Ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike.

Me këtë rast në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku edhe po numërohen votat, zëdhënësi i Komisionit të Zgjedhjeve, Valmir Elezi dha detaje.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike. Siç e dini, më 27 dhjetor 2025, në 29 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës, është zhvilluar votimi për shtetasit e regjistruar paraprakisht për të votuar fizikisht në ndonjërën nga këto misione diplomatike. Nga 19,187 shtetasit e regjistruar, kanë votuar 16,165 prej tyre apo 84.24% dhe këto fletëvotime do t’i nënshtrohen numërimit”, tha ai.

Pas përfundimit të numërimit të fletëvotimeve nga votimi fizik në përfaqësitë diplomatike, Elezi tha se do të vazhdojnë me numërimin e fletëvotimeve nga votimi përmes postës, që deri më tani janë tërhequr nga dy kutitë postare jashtë vendit, ajo në Berlin (Gjermani) dhe në Bernë (Zvicër).

“Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së. Nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit. Pra, në procesin e numërimit do të përfshihen 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime”, shtoi Elezi.

Ai foli edhe për zktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN).

“Të enjten pasdite, në 11 komuna ka rifilluar procesi i verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë. Deri të enjten në mesnatë (1 janar 2026) procesi është përmbyllur në Qendrat Komunale të Numërimit, në 5 komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan dhe Suharekë, ndërkaq po vazhdon në 6 komunat Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj. Pra, KQZ planifikon që aktivitetet në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit të përmbyllen në këtë fundjavë. Deri më tani (e premte, 2 janar 2026, ora 10:00) numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara nga të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit është mbi 2,995 nga 2,557 vendvotime apo më shumë se rreth 90%”, tha Elezi.

Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2025.kqz-ks.org/.