Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku po synojnë të shpallin në kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare.
Kështu ka deklaruar në një konferencë për media zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me aktivitetet të cilat kanë për qëllim të shpallin në një kohë sa më të shpejtë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor”, tha Elezi.
Sa i përket numrit të shtetasve të regjistruar për votim me postë, sipas Elezit ka qenë rreth 58 mijë, pra ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj ende nuk dihet sa prej këtyre shtetasve kanë ushtruar të drejtën e tyre të votës.
Ndërkohë, Elezi bëri të ditur po ashtu se procesi i numërimit për kandidatë për deputetë, po vazhdon në komunat si Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Gjilan dhe Ferizaj.










