Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një rast është raportuar në Graçanicë, një në Gllogoc, një në Pejë, një në Leposaviq, ndërsa tre raste kanë ndodhur në Gjakovë.
Në Graçanicë, më 1 janar 2026 rreth orës 01:00, një femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj.
Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti është proceduar në procedurë të rregullt.
Në Gllogoc, në orët e hershme të mëngjesit, është arrestuar një mashkull kosovar pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje verbale ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është raportuar në Pejë, ku një mashkull kosovar ka deklaruar se është ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj tij nga një person tjetër, i cili dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit.
I dyshuari është arrestuar, por më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Në Gjakovë janë raportuar tri raste. Dy prej tyre përfshijnë përleshje mes dy personave meshkuj në gjendje të dehur, ku në të dy rastet nga njëri i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt. Rasti i tretë ka ndodhur mbrëmjen e 1 janarit, ku një mashkull kosovar ka raportuar se është sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshjeje, ndërsa i dyshuari gjendet ende në arrati.
Ndërkohë, në Leposaviq është arrestuar një mashkull kosovar i cili dyshohet se, nën ndikimin e alkoolit, ka sulmuar bashkëshorten e tij. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës njofton se të gjitha rastet janë duke u trajtuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë.










