Plumb qorr godet veturën në Suharekë, predha përfundon brenda ulëses së pasme

Një incident serioz që rrezikoi sigurinë publike është regjistruar në orët e para të Vitit të Ri në Suharekë.

Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, më 01.01.2026 rreth orës 02:00, në rrugën “Bedri Pejani”, ankuesi K. K, afro 41 vjeçar, ka vërejtur se xhami i pasmë i veturës së tij VW Jetta, të cilën e kishte parkuar një natë më parë para banesës, ishte thyer nga një predhë plumbi.

Predha, sipas deklarimit, ka depërtuar në brendësi të automjetit dhe është gjetur në ulësen e pasme, çka tregon qartë rrezikun e madh që ka paraqitur ky veprim për qytetarët përreth.

Rasti është raportuar zyrtarisht në Stacionin Policor Suharekë më 01.01.2026 rreth orës 12:20, ndërsa njësitë policore kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për identifikimin e personit apo personave përgjegjës.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin përdorimin e armëve dhe mjeteve të rrezikshme, pasi veprime të tilla përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë publike.