Dyshime për abuzim nga tregtarët: Fluturojnë, fluturojnë… çmimet

Të dhënat zyrtare dhe vlerësimi i ekonomistëve nxjerrin përfundimet sipas të cilave rritja e çmimeve në vitin 2025 nuk është vetëm fenomen inflacioni, por pasqyrim i dobësive strukturore të ekonomisë së Kosovës: varësia nga importi, mungesa e prodhimit vendor konkurrues, kostot e larta të energjisë dhe mungesa e instrumenteve për mbrojtjen e konsumatorit. Kosova vazhdon të mbetet prapa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe larg mesatares së Bashkimit Evropian në shumicën e treguesve ekonomikë dhe socialë.

Rritja e çmimeve u shndërrua në një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve në vitin 2025, krahas krizës politike dhe mungesës së institucioneve funksionale. Inflacioni, i cili në janar ishte 1.5 për qind, arriti në 5.3 për qind në fund të vitit, duke reflektuar një rritje të fortë të çmimeve të ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve bazike. Kjo rritje nuk u shoqërua me rritje proporcionale të të ardhurave, duke ushtruar presion mbi fuqinë blerëse të qytetarëve. Përveç rritjes së sasisë së mallrave të importuara e rritjes së çmimeve të produkteve vendore, rritja e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve bazë është shoqëruar edhe me dyshime serioze për abuzime nga tregtarët.

Vezët artikull “luksi”

Produktet ushqimore ishin ndër kontribuuesit kryesorë të inflacionit. Një nga shembujt më domethënës është rritja e çmimit të vezëve, të cilat për shumë familje u shndërruan në produkt “luksi”. Çmimi për 30 copë vezë u rrit nga 3.41 euro në fillim të vitit në 5.45 euro në dhjetor, një rritje prej rreth 60 për qind. Rritje gati dyshifrore u regjistruan edhe te vaji ushqimor, mishi i pulës dhe i gjedhit, si dhe te produktet e bukës.

Kjo rritje e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës, veçanërisht te pensionistët, familjet me asistencë sociale dhe punëtorët me paga të ulëta, të cilët detyrohen të reduktojnë cilësinë e ushqimit apo të heqin dorë nga shpenzime të tjera esenciale, si shëndetësia dhe arsimi.
Pamundësia e përballimit të kostos ka vënë në vështirësi një pjesë të konsideruar të qytetarëve.

“E kam një djalë që më ndihmon se sa për pension nuk kisha mundur t’i mbuloj se është shtrenjtuar gjithçka… 100 për qind kanë hipur çmimet krahasuar me vjet. Buka është shtrenjtuar 100 për qind, mielli. Në bukë kur na ka prek, po në tjerat”, thotë pensionisti Sabit Klinaku.

Me këtë kosto jetese, sipas qytetarit tjetër, Sokol Avdiut, pagat duhet të jenë minimum 1 mijë euro.

“Më lartë nuk e di se ku shkon më. Nuk e di ku po i marrin paratë. Për të jetuar, duhen së paku 1000 euro, për të jetuar qysh duhet. Nuk ka shanse të tubohen (para) edhe për të blerë diçka… krejt (çmimet) janë dyfishuar, trefishuar – pemë, perime e përpjetë. Këtu dola, prej aty e deri këtu i harxhova 50 euro, sikur me t’i marr dikush në xhep”, është shprehur Avdiu.

Dyshimet për abuzim nga tregtarët

Përveç faktorëve të jashtëm, rritja e çmimeve është shoqëruar edhe me dyshime serioze për abuzime nga tregtarët. Autoriteti i Konkurrencës ka evidentuar tendenca të rritjes së koordinuar të çmimeve për produkte të caktuara, përfshirë bukën, pemët, perimet dhe vajin ushqimor.

Megjithatë, mungesa e kuorumit të plotë në Komisionin e këtij Autoriteti dhe mosfunksionimi i Kuvendit që nga janari 2025 kanë pamundësuar marrjen e vendimeve ndëshkuese. Në praktikë, kjo ka lënë konsumatorët pa mbrojtje institucionale, raporton Koha.net.

Inspektori i Autoritetit të Konkurrencës, Egzon Berisha, thotë se ndëshkimet dhe procesi i hetimeve për dyshimet mbi çrregullime të konkurrencës merren nga Komisioni i Autoritetit. Aktualisht sipas tij po monitorohen çmimet e 21 produkteve bazë të shportës së konsumatorit. Referuar monitorimit, ai ka thënë se disa nga indikatorët tregojnë për abuzime me çmime nga rrjetet e marketeve.

“I caktojnë marzhat e fitimit, i caktojnë çmimet e shitjes, i caktojnë furnizimet dhe e krijojnë në pozitë dominuese në atë zonë, duke pamundësuar konkurrencën e lirë”, tha ai.

Berisha tregon se si janë vërejtur ndryshime të koordinuara të çmimit të bukës dhe produkteve tjera të miellit nëpër furra, gjatë një monitorimi të bërë në qershor.

“Përveç bukës, e cila ka pasur një rritje në të gjithë territorin e Kosovës, rritje të tillë kanë pasur edhe pemët e perimet, sidomos në periudhën e fundit, po ashtu edhe artikujt e shportës bazike, siç janë vaji ushqimor, kanë shënuar rritje të konsiderueshme në raport me vitin e kaluar”, deklaroi Berisha.

Në “tregun e lirë”, autoritetet shtetërore janë të kufizuar të ndërmarrin veprime rregullatore. Një përpjekje Qeveria e ka bërë më 22 tetor 2022 kur në Kuvend u miratua Ligji për çmimet tavan. Ligji parashihte të adresonte shqetësimin e qytetarëve për rritjen e paarsyeshme dhe të menjëhershme të të gjitha çmimeve. Ky ligj u kundërshtua nga partitë opozitare, dhe po nga to u dërgua për interpretim në Kushtetuese. Një vit e një muaj pas miratimit, Kushtetuesja e rrëzoi atë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, subjekti i të cilit synon edhe një mandat qeverisje ka premtuar një pako të re “antiinflacion” në vlerë prej 200 milionë eurosh. Mbështetja sipas tij, do të jetë e përnjëhershme për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. Kjo masë ishte zbatuar edhe në fund të vitit të kaluar, në prag të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

E si përgjigje kritike ndaj politikave pesëvjeçare të Qeverisë Kurti, partitë tjera politike kanë prezantuar të tjera zgjidhje. PDK-ja është zotuar për uljen e tatimit për produkte esenciale dhe heqjen e TVSH-së për energji. Reduktim të TVSH-së për produktet bazë ka premtuar LDK-ja.

Importet mbi 6.3 miliardë euro, prodhimi vendor në rënie

Rritja e çmimeve lidhet ngushtë edhe me strukturën e ekonomisë së Kosovës, e cila mbetet e varur nga importi. Deri në nëntor 2025, importet arritën në mbi 6.3 miliardë euro, me rritje të ndjeshme nga vendet si Gjermania, Turqia dhe Kina. Veçanërisht importet nga Kina u rritën me mbi 85 për qind krahasuar me vitin 2021. Derisa në vitin 2021 importet nga ky shtet ishin 452 milionë euro, në vitin 2025 ato kanë arritur në 841 milionë euro. Kjo shumë tashmë ka tejkaluar vlerën e importeve nga vendet anëtare të CEFTA-s – Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë- Hercegovina dhe Moldavia – disa prej të cilave kanë qenë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Kosovës.
Në të njëjtën kohë, eksportet kosovare shënuan rënie prej rreth 30 milionë eurosh, duke dëshmuar dobësimin e prodhimit vendor. Rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe dalja në treg të lirë të energjisë kanë rritur ndjeshëm kostot e prodhimit, duke e bërë sektorin vendor më pak konkurrues ndaj produkteve të importuara.

Sipas ekonomistëve, kjo ka krijuar “inflacion të brendshëm”, ku çmimet e prodhimit vendor rriten pavarësisht rënies së çmimeve të importeve në tregjet ndërkombëtare, kryesisht për shkak të kostove të larta të energjisë dhe pasigurisë politike. Për pasojë është shënuar edhe rënie e eksporteve prej afro 30 milionë euro.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e “fajëson” daljen e detyruar të kompanive të mëdha në tregun e lirë të energjisë.

“Ne nuk po arrijmë as ta zgjerojmë tregun me produktet tona dhe as ta ulim importin. Këtë situatë e kemi alarmuar herët. Kemi paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike do të ndikojë që produktet e huaja ta pushtojnë tregun e Kosovës, ndërsa prodhuesit vendorë nuk do të mund të mbijetojnë. Këtu shtohen edhe barrierat e tjera, mungesa e sigurisë politike dhe juridike, si dhe vështirësia për të gjetur partnerë të huaj”, thotë Rafuna.

Ekonomisti Edison Jakurti vlerëson se Kosova po përballet edhe me inflacion të prodhuar brenda vendit.

“Çmimet e importeve kanë rënë sidomos këtë vit, ndërsa çmimet e prodhimit janë rritur. Arsyeja kryesore është rritja e çmimit të energjisë elektrike”, thotë Jakurti.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike janë shtysa kryesore e inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, ku përfshihet edhe Kosova.

Një hulumtim i kompanisë “Valicon” tregon se rreth 70 për qind e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë rritjen e kostos së jetesës si shqetësimin kryesor. Me rritjen e çmimeve, fuqia blerëse e qytetarëve ka rënë ndjeshëm.

Sipas një analize të ekonomistit Edison Jakurti, në vitin 2014, me 100 euro të vitit 2019 mund të bliheshin mallra dhe shërbime në vlerë prej rreth 105 euro. Ndërsa ajo që në vitin 2019 kushtonte 100 euro, më 2025 kushton rreth 128 euro.

Riinvest: Kosova 100 vjet prapa vendeve të BE-së për standard jetësor

Rritja e çmimeve nuk është ndjekur me të njëjtin ritëm edhe me rritjen e pagave. Pavarësisht rritjes solide të pagave në sektorin publik, të ardhurat e shumicës së qytetarëve, të punësuar në sektorin privat, mbeten të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet në rritje.

Paga mesatare bruto në Kosovë është 639 euro, dhe sipas dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) mbi 55 për qind e kësaj shume shpenzohet vetëm për konsum.

E të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), tregojnë se afro 45 për qind e të punësuarve kanë paga nga 350 deri në 600 euro.

“Kemi 177 mijë e 110 punëtorë që paguhen në nivel të njëjtë page, ndërsa 118 mijë të tjerë kanë paga mbi 800 euro”, ka thënë zëdhënësja e ATK-së, Valentina Bytyçi-Sefa.

Për pensionistët, familjet me asistencë sociale dhe punëtorët me paga minimale, rritja e çmimeve përkthehet në heqje dorë nga nevoja të tjera, ulje të cilësisë së ushqimit dhe shtyrje të shpenzimeve për shëndetësi dhe arsim.

Një studim i Institutit Riinvest për standardin e jetesës tregon se me trendin aktual, Kosovës do t’i duheshin rreth 100 vjet për të arritur mesataren ekonomike të Bashkimit Evropian.

“Nga analiza e pesë viteve të fundit rezulton se Kosova qëndron pothuajse më keq në secilën fushë ekonomike. Me trendin aktual dhe pa ndonjë iniciativë të përshpejtuar të integrimit, Kosovës do t’i duheshin rreth 100 vjet për të arritur mesataren e BE-së. Në arsim dhe infrastrukturë po ashtu po devijojmë nga rruga e përafrimit”, thekson drejtori i programeve në Riinvest, Visar Vokrri.

Rritja e çmimeve ka ndikuar drejtpërdrejt në standardin e jetesës, mirëqenien dhe stabilitetin social.

Të dhënat zyrtare dhe vlerësimi i ekonomistëve nxjerrin përfundimet se rritja e çmimeve në vitin 2025 nuk është vetëm fenomen inflacioni, por pasqyrim i dobësive strukturore të ekonomisë së Kosovës: varësia nga importi, mungesa e prodhimit vendor konkurrues, kostot e larta të energjisë dhe boshllëqet institucionale në mbrojtjen e konsumatorit.

Kosova vazhdon të mbetet prapa vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe larg mesatares së Bashkimit Evropian në shumicën e treguesve ekonomikë dhe socialë.