“Po punohet për identifikimin e viktimave”, ambasadori Latifi flet pas tragjedisë në Zvicër

Mbi 40 persona raportohet të kenë vdekur e shumë të tjerë janë plagosur si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur në një bar në resortin e njohur të skijimit në Crans-Montana.

Duke pasur parasysh se një numër i madh i diasporës kosovare jeton dhe vepron në Zvicër, ka kontaktuar me Ambasadën tone në Bernë, nëse eventualisht mund të kenë ndonjë viktimë ose të lënduar nga bashkëatdhetarët tanë.

Rreth kësaj është deklaruar ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi.

Ai deklaroi se ambasada është duke monitoruar situatën me kujdes dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet zvicerane.

“Në orën 17 kemi biseduar herën e fundit me linjën emergjente të policisë federale në lidhje me tragjedinë në Crans-Montana. Deri më tash nuk është bërë identifikimi i nacionalitetit të viktimave. Janë duke punuar në këtë drejtim. Edhe kur të bëhet identifikimi, së pari do të informohen familjet përkatëse, pastaj do të procedohet me informimin e publikut”, deklaroi diplomati për Klankosova.tv.

“Posa të kemi informata relevante, do t’i bëjmë publike në faqen e Facebookut të Ambasadës së Kosovës në Bern”, theksoi ai.