Disa dhjetëra persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur në një shpërthim dhe zjarr që shpërtheu gjatë natës në një bar në resortin e famshëm zviceran të skive Crans-Montana, ka konfirmuar policia.
Numri i saktë i të vdekurve nuk është konfirmuar ende.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 1:30 të mëngjesit sipas orës lokale në barin Le Constellation dhe shkaku nuk dihet ende, raporton BBC .
Në një deklaratë për mediat, policia konfirmoi se shpërthimi ndodhi ndërsa në bar po zhvilloheshin festimet e Vitit të Ri.
Shefi i policisë së kantonit Valais, Frédéric Gisler, tha në një konferencë për shtyp se tragjedia ishte e një shkalle që rrallë shihet, ndërsa presidenti i qeverisë kantonale, Mathias Reynard, tha se ishte një tragjedi e madhe që ndodhi gjatë një mbrëmjeje të menduar për festime. “Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”, tha Reynard, duke shtuar se mendimet e autoriteteve janë gjithashtu me ata që u plagosën rëndë.
Kryeprokurori i shtetit i kantonit Valais konfirmoi se ka nisur një hetim për shkakun e zjarrit. Instituti i Mjekësisë Ligjore nga Cyrihu po ndihmon autoritetet kantonale në hetim, dhe një pjesë e procedurës lidhet edhe me identifikimin e personave të vdekur.
Autoritetet falënderuan të gjithë anëtarët e shërbimeve të emergjencës që morën pjesë në shpëtimin dhe trajtimin e vështirë të një numri të madh viktimash, ndërsa informacione të reja mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve do të publikohen gjatë ditës./Reporteri.net/










