Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka përcjellë urimet e saj për qytetarët e Kosovës me rastin e Vitit të Ri, përmes një videoje të publikuar në faqen zyrtare në Facebook.
Në mesazhin e saj, Ambasada Amerikane shpreh dëshirat për paqe, prosperitet dhe progres të përbashkët, duke theksuar rëndësinë e partneritetit mes dy vendeve.
“Teksa mirëpresim vitin 2026, ju dërgojmë urimet tona më të ngrohta të gjithë miqve dhe partnerëve tanë në Kosovë. Urojmë që viti i ri të sjellë paqe, prosperitet dhe progres të përbashkët. Gëzuar Vitin e Ri nga të gjithë ne në Ambasadën e ShBA-së në Prishtinë”, thuhet në urim, transmeton Klankosova.tv.
Videoja përfshin paraqitje të disa prej punonjësve të ambasadës, të cilët ndajnë reflektime mbi sukseset dhe bashkëpunimet e realizuara gjatë vitit që po lëmë pas.
Shefi i Njësisë Ekonomike, Micah Savidge, vuri në pah rolin e bashkëpunimit në forcimin e sektorit privat të Kosovës dhe zgjerimin e mundësive ekonomike.
“Bashkëpunimi ynë ka kontribuar në ndërtimin e sektorit privat të Kosovës dhe në krijimin e mundësive të reja. Këto partneritete janë dëshmi se kur bizneset kosovare bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, ato zgjedhin inovacionin, cilësinë dhe besueshmërinë. Me kënaqësi presim t’i mbështesim këto bashkëpunime edhe në të ardhmen”, u shpreh Savidge.
Ndërkohë, drejtori për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Kevin Miles, theksoi përparimin e arritur në fushën e sigurisë dhe luftimit të krimit të organizuar.
“Ne kemi ndërmarrë hapa domethënës për t’i bërë të dy vendet tona më të sigurta, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e sigurisë së Kosovës në operacione ekstradimi, siguri kibernetike dhe luftimin e organizatave kriminale transnacionale dhe drogave sintetike. Kemi shënuar përparim të prekshëm drejt qëllimeve tona të përbashkëta të sigurisë”, tha Miles./Klankosova.tv










