Corriere Della Sera për fitoren e “Che Guevara të Ballkanit”: Korrupsioni e krimi iu rritën ndjeshëm

Gazeta italiane, Corriere Della Sera, ka shkruar për fitoren e Albin Kurtit në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në artikull, Kurti cilësohet si populist e si “Che Guevara i Ballkanit”, teksa thuhet se gjatë qeverisjes së tij “korrupsioni dhe kriminaliteti janë rritur ndjeshëm”.

Shkrimi nis me një thënie të Che Guevara, që thuhet se është idhulli i tij, teksa vetë Kurti cilësohet si “Che Guevara i Ballkanit”.

Për fitore në zgjedhje, gazeta italiane shkruan se Kurti bëri gjithçka gjatë fushatës. Përmendet premtimi për ndarjen e 100 eurove për pensionistët dhe fëmijët, si dhe ai për pagën e 13’të në sektorin publik.

Përmendet edhe refuzimi i partive për të bashkëqeverisur me Kurtin.

“Atij i atribuojnë një papunësi prej 25%, me një kosovar në pesë nën pragun e varfërisë dhe me të rinjtë të detyruar të emigrojnë pa ndërprerje. Korrupsioni dhe kriminaliteti janë rritur ndjeshëm, drejtësia dhe shëndetësia janë në gjendje të zbehtë, ndërsa po skadojnë kreditë e BE-së dhe të Bankës Botërore”, thuhet në artikull.

Në një pjesë përmendet edhe Presidentja Vjosa Osmani, e cila cilësohet si “besnike” e Kurtit.

“Presidentja Vjosa Osmani, besnikja e tij më e madhe dhe në përfundim mandati, është gati t’i japë mandatin e pashmangshëm”.

Përkthimi jo zyrtar i artikullit të plotë të Corriere Della Sera:

“Duhet të jesh i ashpër pa humbur kurrë butësinë”, thoshte idhulli i tij Che Guevara. Ai ia ka dalë në antitezën e përkryer: duke mbetur i butë me shumicën e Kosovës, që ende adhuron premtimet e tij populiste; dhe duke u treguar shumë i ashpër në politikat antiserbe, që e irritojnë fort BE-në dhe e bezdisin pak edhe SHBA-të.

Albin Kurti, 50 vjeç, kryeministri në detyrë që e quanin “Che”-ja i Ballkanit që kur ishte i ri dhe kundërshtonte nacionalizmin e Jugosllavisë së fundit të Slobodan Millosheviçit, do të provojë sërish t’i japë një qeveri vendit më të ri, më të varfër dhe ndoshta më të paqëndrueshëm të Europës. Partia e tij e majtë nacionaliste, Vetëvendosje (VV), sipas exit poll-eve fiton me 49,1%. Vonë në mbrëmje nuk duket se ka shumicën absolute për të qeverisur i vetëm, por siguron votat për të tentuar një koalicion tejet të pamundur. Presidentja Vjosa Osmani, besnikja e tij më e madhe dhe në përfundim mandati, është gati t’i japë mandatin e pashmangshëm.

“Che”-ja ka bërë gjithçka, në dy javë fushate elektorale të furishme, për të marrë mandatin e tretë: ka premtuar 100 euro për çdo pensionist, 100 euro të tjera për familjet me fëmijë të vegjël, një muaj page shtesë për punonjësit publikë, një miliard në investime, një prokurori të re antimafia… Në votimin e katërt brenda dhjetë muajve, në një krizë politike që zgjat nga shkurti, në një garë fundviti që çoi në kutitë e votimit vetëm një zgjedhës në tre, Kurti në fund ia doli dhe nuk kishte sondazh që të parashikonte ndryshe, duke qenë se konsideroheshin shumë të dobët kundërshtarët e PDK-së, trashëgimtarë të “partizanëve” të UÇK-së së luftës së pavarësisë (19,9%), dhe të LDK-së, pasardhës të “babait të atdheut” Ibrahim Rugova (14%).

Kur u zgjodh për herë të parë, në vitin 2021, Kurti rrëmbeu shumicën absolute. Por ai program i tij i “krenarisë kosovare” nuk pranonte aleatë dhe sot, edhe pse në kufirin e 50%, askush nuk vë bast për një zgjidhje të lehtë të krizës. Prej muajsh, të gjithë refuzojnë të qeverisin me Kurtin. Atij i atribuojnë një papunësi prej 25%, me një kosovar në pesë nën pragun e varfërisë dhe me të rinjtë të detyruar të emigrojnë pa ndërprerje. Korrupsioni dhe kriminaliteti janë në nivele shumë të larta, drejtësia dhe shëndetësia janë në gjendje të zbehtë, ndërsa po skadojnë kreditë e BE-së dhe të Bankës Botërore.

Çështja më e ndërlikuar është megjithatë marrëdhënia me Serbinë. Donald Trump është mburrur se e ka “mbyllur” (edhe) këtë konflikt, por bisedimet e Kurtit me Beogradin janë ndërprerë që nga viti 2023 dhe mbi Kosovën — ku 900 ushtarët italianë mbeten kontingjenti më i madh i NATO-s — rëndojnë sanksionet evropiane. Akuza e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kurtit është se ka rihapur përplasjen me serbët, me trupa të dislokuara në kufij për herë të parë që nga viti 1999.

“Che”-së i kërkohej moderim. Por dëshira për të provokuar është tepër e fortë. Shpërthimin e fundit e ka bërë miku i tij Prindon Sadriju, bashkëshorti i presidentes Osmani, duke folur për Trump Hotel-in e planifikuar në Beograd. Disa orë para votimit, Prindoni reagoi: “I dashur Trump”, tha ai, “çfarë Serbie? Pse nuk vjen ta ndërtosh hotelin tënd në Prishtinë?”

Më shumë se ashpërsia apo butësia, nevojitet urgjentisht pak zgjuarsi.