SMS mashtruese në emër të Postës së Kosovës, Policia u bën thirrje qytetarëve për kujdes

Policia e Kosovës ka njoftuar qytetarët për një fushatë mashtruese (phishing) që po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat në mënyrë të rreme paraqiten si të dërguara nga Posta e Kosovës.

Sipas Policisë, mesazhet përmbajnë linqe mashtruese që synojnë të mashtrojnë qytetarët për të marrë të dhëna personale dhe informacione të kartelave bankare, me qëllim të keqpërdorimit financiar. Autoritetet kanë theksuar se Posta e Kosovës nuk ka dërguar mesazhe të tilla dhe se faqet e përfshira në këto SMS nuk janë domene zyrtare.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos kryejnë pagesa përmes këtyre mesazheve. Po ashtu, rekomandohet që SMS-të mashtruese të fshihen menjëherë.

Në rast se dikush ka kryer pagesë përmes këtyre linqeve, Policia e Kosovës kërkon që rasti të raportohet menjëherë në bankën përkatëse për anulimin e pagesës, si dhe në stacionin policor më të afërt.

Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve, duke ftuar qytetarët për vigjilencë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Njoftimi i plotë:

Njoftim i Policisë së Kosovës për fushatë mashtruese (Phishing) përmes Mesazheve SMS

Policia e Kosovës njofton qytetarët për një fushatë mashtruese (phishing) që aktualisht po qarkullon përmes mesazheve SMS, të cilat në mënyrë të rreme pretendojnë se janë dërguar nga Posta e Kosovës. Këto mesazhe përmbajnë linqe mashtruese, të cilat synojnë të mashtrojnë qytetarët për të siguruar të dhëna personale dhe të dhëna të kartelave bankare, me qëllim të keqpërdorimit financiar.

Policia e Kosovës thekson se Posta e Kosovës nuk ka dërguar mesazhe të tilla, ndërsa faqet e përfshira në këto SMS nuk janë domene zyrtare.

U bëjmë thirrje qytetarëve që:

· të mos klikojnë në asnjë link të dyshimtë;

· të mos japin të dhëna personale apo të kartelave bankare;

· të mos kryejnë pagesa përmes këtyre linqeve;

· të fshijnë menjëherë mesazhet mashtruese; dhe

· nëse kanë kryer ndonjë pagesë përmes këtyre linqeve, menjëherë ta raportojnë rastin në bankën ku janë klientë dhe të kërkojnë anulimin e pagesës. Po ashtu, rasti duhet të raportohet edhe në stacionin policor më të afërt.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e mashtrimeve dhe fton qytetarët për bashkëpunim dhe vigjilencë të shtuar.