Me kë po bën tregti Kosova në fund të vitit

Statistikat e fundit tregojnë se ekonomia e Kosovës vazhdon të funksionojë më shumë si treg konsumator sesa prodhues, me eksporte të kufizuara dhe një deficit tregtar që mbetet pothuajse i pandryshuar edhe në fund të vitit, shkruan Demokracia.com.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2025. Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 0,0% në muajin nëntor 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 469,9 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 470,0 milion Euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 15,7%.

Në fund të vitit 2025, harta e tregtisë së jashtme të Kosovës vazhdon të tregojë një varësi të theksuar nga importet dhe një orientim të qartë të eksporteve drejt rajonit. Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin nëntor, eksportet e vendit arrijnë në 87,7 milionë euro, ndërsa importet kapin vlerën e 557,6 milionë eurove, duke bërë që eksporti të mbulojë importin vetëm me 15,7 për qind

Vendet e CEFTA-s mbeten partnerët kryesorë tregtarë për eksportet e Kosovës. Gati gjysma e eksporteve  48,8 për qind ose rreth 42,8 milionë euro shkojnë drejt vendeve të rajonit. Shqipëria prin si destinacioni kryesor me 18,2 për qind të eksporteve, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 16,2 për qind, Serbia me 7 për qind dhe Mali i Zi me 6 për qind. Kjo tregon se prodhimet kosovare vazhdojnë të gjejnë treg më lehtë në hapësirën rajonale, pavarësisht rënies së lehtë të eksporteve krahasuar me vitin e kaluar

Në anën tjetër, importet e Kosovës dominohen nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera jashtë rajonit. Vetëm nga 27 vendet e BE-së, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej rreth 240 milionë euro, apo mbi 43 për qind të importeve totale. Gjermania mbetet furnizuesi kryesor, e pasuar nga Italia dhe Polonia. Një peshë gjithnjë e më të madhe po marrin edhe vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, veçanërisht Turqia dhe Kina, të cilat së bashku zënë një pjesë të konsiderueshme të importeve kosovare

Struktura e tregtisë tregon një ekonomi që ende eksporton kryesisht produkte me vlerë më të ulët të shtuar. Metalet bazë dhe artikujt prej tyre përbëjnë mbi 20 për qind të eksporteve, të ndjekura nga produktet minerale, plastika, goma dhe ushqimet e përgatitura. Ndërkohë, importet dominohen nga makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike, ushqimet, produktet minerale dhe mjetet e transportit – çka dëshmon për varësinë e vazhdueshme nga tregjet e jashtme për nevojat bazë dhe zhvillimin ekonomik

Megjithëse nëntori 2025 shënon rënie të lehtë të importeve dhe eksporteve krahasuar me vitin e kaluar, bilanci tregtar mbetet pothuajse i pandryshuar, me një deficit prej rreth 470 milionë euro. Të dhënat tregojnë se, edhe në fund të vitit, Kosova vazhdon të mbështetet te rajoni për shitjen e produkteve të saj dhe te BE-ja e tregjet e largëta për furnizim – një realitet që thekson nevojën për rritje të prodhimit vendor dhe diversifikim të eksporteve.

Megjithëse flitet për rritje ekonomike, të dhënat zyrtare tregojnë se Kosova vazhdon të eksportojë pak dhe të importojë shumë, duke mbetur e varur nga tregjet e jashtme. Rajoni mbetet destinacioni kryesor i eksporteve, ndërsa Bashkimi Evropian dhe vendet e treta furnizojnë pjesën dërrmuese të nevojave të brendshme, pa ndonjë përmirësim thelbësor në bilancin tregtar. /Demokracia.com/