Opozitarizmi në Kosovë në krizë – Pasojat për vendin

Shkruan: Burim Gjaka

Pesë vite qeverisje e z. Kurti kanë lënë shenja të qarta të keqqeverisjes. Ekonomia po ngadalësohet, vendimet nuk janë transparente, dhe mungesa e përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve është evidente. Projekte të mëdha mbeten të papërfunduara, politikat sociale shpesh refuzojnë nevojat reale të qytetarëve, dhe administrata qeveritare ka treguar paaftësi në menaxhimin e shërbimeve bazë. Për më tepër, disa politika dhe vendime kanë sjellë sanksione ndërkombëtare dhe izolim diplomatik, duke e larguar Kosovën nga mbështetja e partnerëve kryesorë, veçanërisht SHBA-së.

Në të njëjtën kohë, partitë opozitare duket se nuk arrijnë ta mobilizojnë qytetarin për të reaguar ndaj këtyre dështimeve. Zëra kritikë dhe kuadro me integritet dhe vizion mbeten të heshtur ose të marginalizuar brenda strukturave partiake. Mbështetja e diasporës ka forcuar pozicionin e z.Kurti, duke e bërë më të vështirë që qytetarët të shohin alternativa reale. Në këtë klimë, opozita nuk po arrin të bindë qytetarët që të reflektojnë mbi keqqeverisjen dhe të kërkojnë ndryshim.

“Ligji i Hekurt” dhe ngulfatja e meritokracisë

Sociologu Robert Michels përshkroi këtë fenomen si “Ligji i hekurt i oligarkisë”, ku çdo parti ka tendencë të krijojë një bërthamë drejtuese që shkëputet nga baza dhe prioritizon mbijetesën e vet mbi misionin. Në Kosovë, kjo dukuri shfaqet kur zërat kritikë dhe kuadrot e rinj marginalizohen, dhe besnikëria ndaj liderit vlerësohet mbi kompetencën. Rezultati është “seleksionim negativ” dhe humbje e vizionit politik. Partitë e mëdha, që dikur prodhonin ide dhe vizion, tash shpesh funksionojnë si mekanizma për ruajtjen e privilegjeve të liderëve të vjetër. Në vend të debatit të ideve, instalohet diktati i besnikërisë servile. Kuadrot me aftësi dhe vizion që tentojnë të kontribuojnë shpesh gjenden të izoluar, ndërsa individët me përvojë dhe integritet shpesh largohen, duke krijuar një “emigrim të trurit” brenda partive.

Reforma nga baza- nevoja për ndërhyrje kapilare

Gabimi kryesor i partive është të mendojnë se reforma ndodh vetëm në “kupolë”. Në realitet, çdo nëndegë dhe degë, duhet rigjeneruar për t`ju dhënë hapësirë kuadrove të reja. Pa këtë transformim të thellë, partitë mbeten të izoluar nga pulsi i qytetarit. Nëse kuadrot e rinj dhe profesionistët nuk vlerësohen për aftësitë e tyre dhe trajtohen si kërcënim ndaj lidershipit, humbasin mundësinë për të hartuar alternativa bindëse dhe për të krijuar një opozitë reale.

Rekomandime për shpëtim – Më poshtë po i theksoj 4 rekomandime të cilat do ta ndryshoni sybstancialisht gjendjen e partive opozitare.

Standardi i dorëheqjes- Liderët që dështojnë në zgjedhje ose nuk prodhojnë rezultate pozitive duhet të japin dorëheqje menjëherë, dhe kjo duhet të ndodhë në çdo arterie të partisë, nga nëndegët, degët e deri te Qendra. Dorëheqja nuk duhet parë si humbje, por si hap për rigjenerim.

Fuqizimi i kuadrove të reja-Profesionalët dhe akademikët e rinj duhet të kenë vendimarrje reale mbi platformën politike dhe të mos jenë thjesht figura dekorative në lista zgjedhore.

Vetingu i integritetit dhe performances- Pushimi i praktikës së riciklimit të figurave të komprometuara. Një individ që ka dështuar vazhdimisht nuk mund të udhëheq procesin e reformës.

Demokratizimi i plotë (Një anëtar, një votë)- Zgjedhja e lidershipit në çdo degë dhe nëndegë duhet të bëhet nga anëtarësia e gjerë, për të thyer ndikimin e klaneve që shkelin aktivistët e ndershëm që nuk i bindet verbërisht liderit.

Përfundim

Siç thekson Antonio Gramsci, “e vjetra po vdes dhe e reja nuk po lind”. Partitë që sot shkelin kuadrot më të mirë për të ruajtur rehatinë e lidershipit të vjetëruar po rrezikojnë të humbasin perspektivën e ardhshme. Reforma nuk është zgjedhje – është kusht për mbijetesë. Pa një hapje të sinqertë, vlerësim të kompetencës mbi servilizmin dhe transformim që nis nga baza më e thjeshtë, këto subjekte do të mbeten pjesë e historisë, jo e së ardhmes.